Go to content Go to menu
 


Pak histroi per Vloren

2008-10-01

Vlora në lashtësi quhej Aulona. Ajo përmendet nga shumë udhëtarë dhe kronikanë të huaj, si një nga qytetet - skelë kryesore të Ilirisë së Jugut, që lulëzoi pas rënies së Apollonisë dhe Orikut. Emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografike të bregdetit lindor të Adriatikut që i ka qëndruar kohës qysh nga lashtësia. Në bregdetin e banuar sot nga popullsia shqiptare, ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ato të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. Këta emra gjeografik nuk do t'i kishin rezistuar kohës në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi përdorimi në radhë të shekujve… Një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t'i rezistonte proçesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik", nënvizon në studimet e veta akademiku Prof. Shaban Demiraj. Sipas materialeve arkeologjike, dëshmohet se në bregdetin e Vlorës, ashtu edhe në prapavijën e tij, për vendbanime parahistorike e zhvillime ekonomike-kulturore të shumë qytezave e qendrave urbane dallohej karakteri i tyre fortifikues-mbrojtës. Të tilla janë ato të "Shpellave të Velçës", "Shpellave të shkruara të Lepenicës" (nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe), "Shpellat e Spilesë" (Himarë) apo "Mozaikët e Mesaplikut", pasuri e rrallë kombëtare. Vendbanimet tumulare të Vajzës, Dukatit, Mavrovës, "Pitosa" të Mallkeqit tregojnë për autoktoninë dhe vazhdimesinë etno-kulturore të ilirëve në periudhën e bronxit dhe të hekurit. E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë që janë qytete-kala si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja, Armeni, Hadëraj, Triporti dhe vet Vlora (Aulona) etj. Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare, ku spikat më shumë ndërtimi në terren malor i stadiumit antik madhështor, i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh. Në jug të qytetit të Vlorës gjendet qyteti i Orikumit, i cili ka qenë një nga portet më të lashte të bregdetit të Vlorës, i themeluar si vendbanim në shek. VI-V p.e s. Oriku u bë port i fortifikuar, bazë e rëndësishme ushtarake në Adriatik dhe në shek. II-I p.e.s ishte kantier i rëndësishëm detar për ndërtim e riparim anijesh, gjë që favorizohej nga prania e madhe e pyllit me pisha të Llogarase dhe Sera e Selenicës. Në shek.I p.e.s. Oriku shërbeu si kryeurë e fuqive pushtuese të kohës, arenë luftrash midis Romës, Maqedonisë dhe Ilirisë, si dhe në luftën rivale midis Çezarit e Pompeut që i solli Orikut shumë shkatërrime. Në shek.II p.e.s., Oriku u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe u shkatërrua duke e humbur rëndësine e tij, pa mundur të rimbëkëmbej më. Ishte pikërisht koha kur në gjirin e Vlorës del në pah një tjetër qytet-Skelë, që ishte "Aulona - Vlora e sotme". Dëshmi arkeologjike e lashtësisë dhe autoktonisë është edhe vetë simboli i saj - "Vajza aulonase", një skulpturë "hyjnesh" 87 cm., e gdhendur nga mjeshtër vendas me gurin gëlqeror të Kaninës, që simbolizon veshjen e grave ilire. Emrin e qytetit - Skelë të Aulonës së lashtë e gjejmë të përmëndur në shek.II e.s., nga shkrimtari Lukani dhe nga gjeografi Aleksandrin Ptolemeu. Këto të dhëna burimore përputhen me të dhënat e tjera të përafërta, siç janë dëshmitë arkeologjike për një kështjellë, port e bankinë të madhe (kështjella e Jangjeçit, Triport), që kanë ekzistuar ndoshta kur lumi Vjosa e kish grykëderdhjen aty në Lagunën e Nartës. Por,ndoshta kur Vjosa u largua në drejtimin verior,Triporti humbi mundësinë dhe rëndësinë. Pikërisht në këtë kohë duhet të ketë origjinën Aulona port i spostuar në JL, e cila del si skelë - qëndër tregëtare - dhe Kanina - qëndër administrative - ushtarake në shek. VI e.s. Fakti që në shek.V-VI e.s., ka pasur në Vlorë edhe një peshkop,varur nga metropoliti i Durrësit, tregon se Aulona ka qenë vendbanim me rëndësi. Këtë e mbështet edhe zbulimi i viteve të fundit i traktatit të murit rrethues mbrojtës, fortifikues në qëndër të qytetit të sotëm të Vlorës (pranë monumentit të Pavarësisë) si dhe zbulimi i disa dëshmive të reja për ekzistencën e molit të vjetër, në afërsi të stacionit të trenit. Gërmimet e fundit në Kaninë dhe Himarë kanë dhënë dëshmitë e tjera për kulturën ilire të antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme, për autoktoninë dhe vazhdimesinë iliro-arbërore dhe mesjetare shqiptare. Në shek. VI e.s., dhe vazhdimisht gjatë mesjetës, Aulona përmëndet në listën e qyteteve bregdetare si port i rëndësishëm, me detari të zhvilluar, që tregëton vaj ulliri, kripë, valanidh, lëndë drusore, ullinj si dhe panairet që bëheshin në afërsitë e Vlorës, ashtu edhe në vende të ndryshme të Europës. Edhe në grykën e Vjosës ishte skela e Spinaricës, ku zhvillohej tregti dhe aty ishin të pranishëm edhe konsuj tregtarë të Raguzës, Venedikut etj. Në mesjetë Vlora dhe viset e saj ranë nën pushtimin normand më 1081, më pas nën pushtimin e Venedikut më 1205 dhe atë të sundimit të Hohenstaufenëve gjerman, siç e përshkuan edhe Jireçeku në studimin e tij. Si një qëndër e zhvilluar dhe e kulturuar Vlora shfaqet edhe në mbrëtërinë e Arbërisë më 1272, ku kronikat e kohës shënojnë lulëzimin e zejtarisë, tregëtisë, blegtorisë dhe pemtarisë, të përfshirë si despotat më vete. Një rol të madh në jetën politike, ushtarake e shoqërore të Vlorës, ka lozur edhe familja e madhe Arianitët, të cilët përmënden në shek.XI, nëpërmjet të parit të tyre Arianit Komnen Golemi Topisë, sidomos në shek. XV-XVI. Një nga figurat e shquara të shek.XV është Gjergj Arianiti, i cili organizoi qëndresën kundër pushtuesve osman më 1431-1432 e më pas në grykat e Labërisë. Me bëmat e tij, Gjergj Arianiti mori përgëzimet e Fuqive të Mëdha të Europës të asaj kohe. Edhe pse ishte aleat me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe vjehrri i tij, pasi Donika, e bija e tij u martua me Skënderbeun, Gjergj Arianiti ishte i pavarur në zoterimet e tij në jug dhe në Shqipërinë e Mesme. Në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars 1444, për t'i bërë ballë rrezikut të pushtimit osman, Gjergj Arianiti u rradhit ndër të parët krerë sundimtarë shqiptarë, në këtë lidhje ushtarake mbarëkombëtare. Në shek.XV-XVI pushtuesit osman e kthyen portin e Vlorës në një nyje të rëndësishme të Adriatikut për pushtimin e Italisë. Në regjistrin turk të vitit 1520 shënohen 701 familje vendase dhe 531 familje çifute. Kjo dëshmon për një klimë paqësore e tolerancë ndaj çifutëve në qytet në një kohë kur gjetke ata persekutoheshin egërsisht. Kështu qyteti përmblidhte 6300-6500 banorë. Nga Vlora u nisën fuqitë ushtarake osmane kundër Italisë së Jugut, më 1480, kundër kryengritjes së himarjotëve më 1492 dhe shërbeu si bazë e sulltan Sulejmanit kundër Korfuzit, më 1537. Po në këtë vit u ndërtua kështjella e qytetit (aty ku sot ndodhet stadiumi "Flamurtari"), gurët e së cilës u morën nga kështjella e Jangjeçit në Zvërnec dhe nga muri rrethues i Aulonës. Në shek.XVII-XVIII Vlora ishte një nga limanet më të rëndësishëm të Shqipërisë së Jugut, pas Prevezës, pasi gjiri i saj u siguronte anijeve mbrojtje nga stuhitë. Në skelën e Vlorës ishin ndërtuar depo të mëdha për grumbullimin e prodhimeve buqësore e blegtorale të fshatarësisë, ku përfshiheshin zona e Beratit, Gjirokastrës dhe Myzeqesë. Në eksportin e tij ky qytet zhvillonte tregti më Triesten, Venedikun, Vjenën, Korfuzin, Stambollin, Izmirin, Breshian, Barin, Manastirin, Janinën, Maltën e Qipron. Në portin e Vlorës hynte rregullisht çdo javë vapori austriak "Lloid" dhe ai italian "Pulja", të cilët vetëm për vitin 1904 kishin kryer respektivisht 224 dhe 181 hyrje-dalje. Vlora eksportonte: vaj ulliri - 20.000 fuçi, ullinj të vjelur - 11.000 barrë, kripë - 1.5 milion kilogram, lesh të palarë - 15.000 okë, lëkurë qengji e lepuri - 20.000 copë, breshka - 40.000 copë, shushunja, shpende, dele, kuaj, mish të therur, peshk të kripur, vezë peshku, serë, asfalt, misër, tërshërë, thekër, fasule, dru zjarri, valanidh, mjaltë të bardhë Kanine, verë të Nartës dhe verë "Vlosh" të Vlorës. Një artikull i kërkuar ishte edhe stralli i gurores së Drashovicës, që përgatitej me blloqe dhe ashkla. Për eksport, gëzofet prej lëkure, velenxat dhe brucat labe ishin artikuj mjaft të preferuar për Istrien, Triesten dhe vendet alpine...Ulliri i markës "Vlonjak", që ishte më i lashtë se marka italiane dhe frënge, dallohej për prodhueshmëri të lartë, vaji dhe regjie lëkure. Në vitin 1900 Vlora regjistronte mbi 100.000 rrënjë ullinj. Vlora njihet si një vatër e rëndësishme e patriotizmit ndër shekuj, ku përpjekjet për liri, pavarësi dhe prosperitet kanë qenë në shpirtin e çdo vlonjati. Luftrat kundër pushtimeve të huaja dhe përpjekjet për përhapjen e arsimit shqip bënë që në Vlorë të krijoheshin shumë shoqëri patriotike. Në vitet 1908-1912 klubi "Labëria" u bë një vatër e ndezur e përpjekjeve për pavarësinë e vendit dhe luftën kundër pushtuesve xhonturq. Kryetar nderi i këtij klubi atdhetar ishte Ismail Qemali. Çelja e shkollës shqipe të Muradies (7 Gusht 1908) ishte një ngjarje e shënuar në jetën arsimore të Vlorës. Por ngjarja më kulmore e qytetit të Vlorës ishte 28 nëntori 1912 kur plaku i urtë e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me delegatët e ardhur nga vise të ndryshme të vendit, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. Kështu Vlora u bë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur. Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua nga imperializmi italianë. Pas zgjerimit të pushtimit italian nisi rezistenca kundër pushtuesve. Në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjes, u krijuan Komiteti "Mbrojtja Kombëtare" me kryetar Osman Haxhiun, i cili organizoi forcat luftarake në Luftën e Vlorës. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve. Vlora u kthye në "Termopilet" e Shqipërisë, siç thoshte patrioti Halim Xhelo. Në vitet 1920-1924 Vlora u përfshi në rrjedhën e proçeseve të demokratizimit të jetës së vendit. Këtu u krijua Federata "Atdheu" (1921) dhe dega e shoqërisë "Bashkimi" (1922). Një rol të madh në këto vite ka lozur edhe shtypi me gazetat "Politika", "Mbrojtja Kombëtare", "Fjala e Lirë", "Shpresa Kombëtare" etj që botoheshin në Vlorë. Në Luftën e Dytë Botërore Vlora u bë një nga vatrat e rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashist. Ajo mbajti një barrë të madhe të Luftës dhe kontributi i saj ishte i shquar.

 

 

 

Ismail Qemali
Udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryeministër i parë i Shqipërisë së pavarur. Hero i Popullit. Lindi në Vlorë në një familje çifligare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin "Zosimea" në Janinë, më 1859 u vendos me familjen e tij në Stamboll, ku u aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare: mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Në Perandorinë Osmane pati funksione të rëndësishme administrative dhe u shqua shumë shpejt si personalitet me pikëpamje liberale. Postet e tij i përdori jo vetëm për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare të bashkatdhetarëve, par edhe për të lehtësuar sado pak gjendjen e vështirë të popujve të shtypur të perandorisë duke luftuar kundër obskurantizmit e dallimit racor dhe duke përkrahur përhapjen e kulturës e të dijeve shkencore. Kërkesat e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave demokratike e çuan në konflikt me rrethet konservatore të Stambollit. U dënua nga Porta e Lartë me internim, të cilin e vuajti për 7 vjet. Në maj të 1900, për t'u shpëtuar ndjekjeve të Sulltanit, u arratis nga Stambolli dhe qëndroi në vise të ndryshme të Evropës, ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemalit. në përgjithësi përputhej me atë të ideologëve të tjerë të Rilindjes, por me disa veçori në lidhje me rrugët e mjetet për sigurimin e autonomisë. Në këtë etapë të veprimtarisë së tij ai mendonte të vazhdohej rruga reformiste për sigurimin e autonomisë nga lart, i shqetësuar se mos kryengritjet i jepnin shkas ndërhyrjes së huaj.
 
Zmadho
Mori pjesë aktive në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj që ishte për njohjen e të drejtave të kombeve të Perandorisë dhe u hodh kundër xhonturqve kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Në dhjetor të 1908, me gjithë luftën që i bënë autoritetet xhonturke, u zgjodh deputet i sanxhakutBeratit në parlamentin osman ku, së bashku me grupin e deputetëve patriotë, mbrojti interesat e kombit shqiptar. Në këtë kohë ai kaloi në pozitat më të përparuara duke e konsideruar kryengritjen e armatosur si mjet për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë. U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Së bashku nie L. Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të 1912. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t'u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ndërmori së bashku me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë ku u takua me personalitete politike austro-hungareze dhe me përfaqësues diplomatikë të Fuqive për të shtruar e mbrojtur çështjen shqiptare duke pasur parasysh kontradiktat që ekzistonin midis fuqive. Ai për çlirimin e plotë të vendit. Më 19 nëntor 1912 njoftoi në atdhe se do të shpallej pavarësia nga Kuvendi Kombëtar që do të mblidhej për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. U kthye me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
 
Zmadho
28 nëntor 1912
U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Në politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverisë kombëtare u tregua i prirur për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit, i vëmendshëm kundrejt politikës së Fuqive për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej në dobi të atdheut, por i papajtueshëm me çdo cenim nga ana e tyre të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar, i lirë nga paragjykimet kundrejt fqinjëve me të cilët kërkonte të kishte marrëdhënie miqësore, por edhe kundërshtar i rreptë i synimit të tyre për të copëtuar Shqipërinë. Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut. Mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Në të gjitha këto veprime Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës. Me politikën e tij ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare çifligare si edhe të imperialistëve, të cilët e rrëzuan qeverinë kombëtare të kryesuar prej tij në janar 1914. Vitet e fundit të jetës së tij të kaluara në mërgim Ismail Qemali i përdori në dobi të çështjes shqiptare. Vdiq në Itali nga nje atentat me helm.
 

Comments

Add comment

Overview of comments

There have not been any comments added yet.