Go to content Go to menu
 


 

Historian te shquar te Shqiperis
 
Aleks Buda
Gazment Shpuza
Hysni Myzyri
Hysen Kordha
Hamit Kaba
Kristo Frashëri
Marin Barleti
Muin Çami
Selami Pulaha
Stefanaq Pollo
Zihni Haskaj
Zija Shkodra
Xhelal Gjeçovi
Viron Koka
Muharrem Dezhgiu
Shaban Braha
Myslym Islami
Pëllumb Xhufi
Kristaq Prifti
Petrika Thëngjilli
Paskal Milo

___________________________________________________________________________

 

Formimi i Shtetit Shqiptar nën drejtimin e Skenderbeut
 
Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut
 
Kryengritja fitimtare e nëntorit të vitit 1443 dhe Kuvendi i fisnikëve shqiptarë i mbajtur në mars të vitit 1444 në Lezhë, sollën ndryshime rrënjësore në organizimin administrativ, politik e ushtarak të viseve të çliruara shqiptare. Kuvendi i Lezhës realizoi të parin bashkim të gjerë politik e ushtarak të vendit në formën e një aleance ndërmjet përfaqësuesve kryesorë të aristokracisë shqiptare. Organi më i lartë qendror i këtij bashkimi u bë Kuvendi i fisnikëve. Organe të përhershme të Besëlidhjes ishin kryetari i saj, ushtria dhe arka e përbashkët, në krye të të cilave u caktua një njeri i vetëm, Skënderbeu.
 
Vendimet e Kuvendit i dhanë mbështetje ligjore e morale pozitës së veçantë të Skënderbeut, si kryetar i Besëlidhjes, në marrëdhëniet me fisnikët e tjerë shqiptarë. Këtë pozitë ai e shfrytëzoi për të bashkuar sa më organikisht viset e lira shqiptare, nëpërmjet forcimit të pareshtur të autoritetit të pushtetit të tij. Si kryetar i Besëlidhjes ai ushtronte të drejtën për t'i thirrur ose jo në Kuvend anëtarët e saj.
 
Për nevojat e mbrojtjes e të vijimit të luftës, anëtarët e Besëlidhjes pranuan krijimin e organeve qendrore, të përqendruara në një dorë të vetme, në atë të Skënderbeut. Vendimet e Kuvendit i ngarkonin ata me detyrime politike, ushtarake e ekonomike. Kështu, në luftë kundër Venedikut gjatë viteve 1447-1448 morën pjesë edhe personalitete drejtuese, të cilëve nuk u ishin cenuar drejtpërdrejt interesat nga pushtimi venecian, si Gjergj Arianiti. Në këtë luftë dhe në bisedimet për nënshkrimin e traktatit të paqes, Skënderbeu ishte figura qendrore e palës shqiptare, edhe pse nën pushtetin e Venedikut nuk ishin përfshirë zotërime të Kastriotëve, siç kishte ndodhur me ato të disa fisnikëve të tjerë.
 
Në kuadrin e Besëlidhjes, fisnikët i ruanin të gjitha të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e veta. Kjo bënte që në qëndrimin e tyre të shfaqeshin edhe dukuri të tilla, si mospërmbushja e detyrimeve të caktuara në Kuvend, mospjesëmarrje në luftë, lëkundje ndaj vështirësive e presioneve të pushtuesve osmanë, mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, mbajtja e ushtrive jashtë kuadrit të Besëlidhjes etj.
 
Me kalimin e viteve u bë gjithnjë e më e domosdoshme të kapërceheshin sa më parë dobësitë e brendshme, të cilat pengonin zhvillimin me sukses të luftës. Detyra e mbrojtjes së viseve të lira shqiptare kërkonte që mobilizimi i banorëve në to dhe ruajtja e kështjellave të mos mbeteshin në duart e zotërve të veçantë. Përshpejtimin e procesit të bashkimit politik të shqiptarëve e favorizonte shumë autoriteti i madh gjithnjë në rritje që Skënderbeu kishte te bashkëkombasit e vet, tek i cili këta shihnin drejtuesin e aftë dhe komandantin e talentuar, që vazhdimisht po u sillte fitore.
 
Lufta e suksesshme nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi pozitivisht për integrimin në një shtet të përbashkët të fisnikëve shqiptarë, të cilët i kishin fituar dhe i mbanin zotërimet e tyre në sajë të fitoreve që po korrte ushtria e Besëlidhjes. Duke ruajtur përgjithësisht të drejtat ekonomike feudale, zotërimet e tyre e humbën gradualisht autonominë politike dhe u njësuan me ato të Kastriotëve. Duke kujtuar këto ndryshime, Gjon Muzaka shkruante se shkrirja dhe aneksimi i zotërimeve të fisnikëve shqiptarë nga Skënderbeu ndodhte ngaqë ky "kishte në dorë ushtrinë, dhe ata kishin gjithnjë turkun mbi krye". Ata ishin të varur nga Skënderbeu, sepse nuk ishin të fuqishëm dhe pa përkrahjen e tij nuk mund të përballonin dot furinë osmane. Integrimi në një shtet të përbashkët nuk i dëmtonte rëndë interesat e tyre ekonomike. Duke përmbushur detyrimet ndaj pushtetit qendror të Skënderbeut, fisnikët ruanin të drejtën e administrimit të pronave të veta po nëpërmjet aparatit të tyre të mëparshëm administrativ dhe ekonomik, i cili tani konsideroj si pjesë e aparatit shtetëror të përbashkët, të drejtuar nga Skënderbeu. Fisnikët shqiptarë kaluan kështu në vartësinë e zakonshme feudale ndaj kryezotit të tyre, Skënderbeut.
 
Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të qëndrueshëm të zotërve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht, të të gjithë vendit. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike, dukuri të zakonshme këto në shoqërinë feudale. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas M. Barlecit, jetonte në Pollog (me këtë ai emërtonte rajonin që shtrihej nga qyteti i Shkupit në lindje deri në krahinën e Dervenit në perëndim, ndoshta edhe rajonin në rrjedhjen e poshtme të lumit Treskë). Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve më të fuqishme të kohës: Mara me Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin), Jella me Stres Balshën, Angjelina me Vladan Arianitin, vëlla i Gjergj Arianitit, Vlajka me Gjon Muzakën. Veç këtyre, Heroi shqiptar, i cili qysh në vitin 1443 e kishte cilësuar veten si trashëgimtar të Balshajve, bëri lidhje martesore të tjera. Vetë u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, kurse të motrën, Mamicën e martoi me Muzak Topinë. Zotërimet e Arianitëve e të Topiajve kishin një rëndësi të veçantë strategjike për mbrojtjen e vendit, sepse nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnacia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqendrën e tyre, Krujën. Lidhjet martesore të shumta lehtësuan veprimtarinë politike të Skënderbeut për integrimin sa më të plotë të viseve shqiptare nën pushtetin qendror të tij. Edhe në radhët e këtyre familjeve kishte individë të pakënaqur nga forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut. Kështu, p.sh., në vitin 1455 Muzak Topia ankohej për mosmarrëveshjet që kishte me kunatin e vet, Skënderbeun.
 
Shprehje e qëndrimeve divergjente ndaj procesit të forcimit të pushtetit qendror të Skënderbeut ishin edhe përpjekjet e ndonjë përfaqësuesi të familjeve aristokrate shqiptare për të pasur lidhje vetjake me vende të tjera, si me Napolin, Venedikun etj. Këto qëndrime shfaqeshin sidomos kur tek ata dobësohej besimi se shqiptarët mund të përballonin vetëm luftën me ushtrinë osmane. Kështu, p.sh., pas rënies së Sopotnicës (1448) dhe Rrethimit të Parë të Krujës (1450), disa nga anëtarët e Besëlidhjes së Lezhës kërkuan individualisht mbështetjen e përkrahjen e vendeve të tjera, duke nënshkruar me ta një numër traktatesh. Krahas traktatit të 26 marsit 1451, që dy ambasadorë të Skënderbeu e nënshkruan në emër të tij dhe të "familjarëve të tij e të baronëve të Shqipërisë" me mbretin Alfonsi V të Napolit, traktate të ngjashme lidhën pas disa muajsh me mbretin e Napolit ambasadori i Gjergj Arianitit (7 qershor 1451), përfaqësuesit e Muzak Topisë, Gjon Muzakës etj. Për të neutralizuar prirjet decentralizuese që po rishfaqeshin në radhët e fisnikëve shqiptarë pas fushatave ushtarake osmane të viteve 1448 dhe 1450 dhe për të ruajtur bashkimin politik të vendit, Skënderbeu forcoi lidhjet familjare me personalitetin politik më të rëndësishëm shqiptar pas tij, Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij, Donikën.
 
Krahas lidhjeve vetjake me shtetet perëndimore, pati edhe raste që ndonjë nga fisnikët shqiptarë hyri në marrëveshje me osmanët, siç vepruan Muzakajt më 1451 dhe Dukagjinët më 1452 e më pas. Zotërimet e Muzakajve, si kufitare në jug me viset e pushtuara, ishin vazhdimisht të konfrontuara me osmanët, kurse ato të Dukagjinëve kontrollonin rrugët tregtare që sillnin të ardhura të mëdha nga qarkullimi i mallrave ndërmjet rajoneve bregdetare dhe fushave verilindore (të Rrafshit të Dukagjinit e të Fushë-Dardanisë), që ishin vazhdimisht nën kërcënimin e sulmeve osmane, derisa më 1455 filloi ripushtimi i rajoneve verilindore e veriore të viseve të lira shqiptare.
 
Lëkundjet në gjirin e aristokracisë shqiptare u thelluan edhe më tej pas disfatës së vitit 1455 në betejën e Beratit. Duke e gjykuar si të pashpresë vazhdimin e mëtejshëm të luftës kundër osmanëve, Moisi Arianiti (Golemi), Gjergj Stres Balsha (djalë i motrës së Skënderbeut) dhe Hamza Kastrioti (djali i vëllait të tij) kaluan në bashkëpunim të hapur me osmanët.
 
Shpartallimi prej Skënderbeut i lëkundjeve dhe tendencave separatiste, që arritën deri në bashkëpunim të hapur me pushtuesit osmanë, u bë faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tij mbi të gjitha viset e lira dhe krijimin e një shteti të vetëm shqiptar. Në këtë proces u përfshinë edhe rajonet periferike jugore e veriore të vendit, ku shtriheshin zotërimet e Arianitëve dhe të Dukagjinëve. Integrimi i tyre në shtetin e Skënderbeut u bë më vonë se në viset e tjera dhe në fillim të viteve 60 mund të quhej i kryer.
 
Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut mbi zotërimet e Arianitëve eci më lehtë se mbi ato të Dukagjinëve. Në këtë proces ndikonin lidhjet martesore të familjes së Skënderbeut me Arianitët dhe sidomos fakti që zotërimet e këtyre ishin kufitare dhe qenë vazhdimisht nën kërcënimin e pushtimit osman. Pushteti qendror shtetëror u forcua aq shumë mbi Arianitët saqë, pas vdekjes së Gjergj Arianitit, më 1461, djemtë e tij ishin të detyruar të përmbushnin urdhrat e Skënderbeut. Djali i madh i Gj. Arianitit, Thomai, në emër të tij dhe të dy vëllezërve më të vegjël, në qershor të vitit 1461, u pranua në audiencë nga duka i Venedikut me letërekomandimin e Skënderbeut. Ndaj një vartësie të tillë të plotë, e ëma e tyre, që ishte edhe vjehrra e Skënderbeut, në fund të vitit 1463 do t`u shprehte pakënaqësinë e saj shteteve të tjera.
 
Më e vështirë qe rruga e përfshirjes së zotërimeve të Dukagjinëve në shtetin e Skënderbeut. Deri më 1455, kur sulltan Mehmeti II filloi veprimet intensive për pushtimin e Fushë-Dardanisë e të Rrafshit të Dukagjinit, zotërimet e Dukagjinëve nuk i kishin ndier dhe aq pasojat shkatërrimtare të sulmeve osmane, sepse ende kufizoheshin me vise të papushtuara dhe lidheshin me to me rrugë tregtare që sillnin të ardhura të rëndësishme doganore. Prandaj Dukagjinët, veçanërisht gjatë viteve 1450-1455, ndoqën një politikë deri diku të veçuar nga ajo e Besëlidhjes, duke u afruar edhe me osmanët për shkak të interesave ekonomike e tregtare. Skënderbeu përdori mjete të ndryshme që t'i largonte ata nga osmanët, duke kërkuar edhe ndërmjetësinë e shteteve të huaja, si të Papatit etj. Në vitin 1452 ai nënshkroi një akt bashkëpunimi me Pal e Nikollë Dukagjinin.
 
Me pushtimin prej turqve të Fushë-Dardanisë dhe të një pjese të Rrafshit të Dukagjinit gjatë viteve 1455-1462 edhe zotërimet e Dukagjinëve u dëmtuan rëndë dhe iu ekspozuan tërësisht të njëjtit rrezik. Në këto kushte Dukagjinët i ndërprenë lidhjet me osmanët dhe në fund të viteve 50 ata dalin të lidhur plotësisht me pushtetin qendror të Skënderbeut. I pakënaqur nga kjo vartësi, Lekë Dukagjini do të ankohej më 1463 se "nuk donte të ishte nën Skënderbeun". Por një proces i tillë ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e luftës kundër rrezikut të përbashkët, pushtimit osman. Në dokumentet e viteve 60 gjithnjë e më shumë flitet për “shtetin e Skënderbeut”.
 
U arrit kështu të përfshiheshin në një shtet të vetëm të gjitha viset e lira shqiptare. Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumenjve Devoll e Seman dhe përfshinin në veri kështjellat e Jeliçës (Pazarit të Ri) e të Zveçanit (Mitrovicës) bashkë me rajonet e tyre. Në perëndim shtriheshin nga brigjet e detit Adriatik dhe përfshinin në verilindje Rrafshin e Dukagjinit e Drenicën dhe në lindje rajonin e Dervenit në perëndim të Shkupit dhe atë të Mokrës në jugperëndim po të këtij qyteti.
 
Integrimi politik dhe organizativ i viseve të lira shqiptare në një shtet të përbashkët u pasqyrua edhe në raportet publike midis fisnikëve shqiptarë, si dhe me vendet e tjera. Ndërprerja e veprimtarisë së pavarur politike të fisnikëve shqiptarë ka gjetur shprehjen e vet edhe në dokumentet e kohës, ku emrat e tyre, me kalimin e viteve, dalin gjithnjë e më rrallë dhe, që nga fillimi i viteve 60, thuajse nuk do të përmenden më. Në dokumentet e kohës Skënderbeu del si e vetmja figurë drejtuese e jetës politike të vendit. Nga "zot" i Krujës, që përmendet në vitet 40, ai do të cilësohet më pas "zot i Arbërisë" dhe më 1464, me rastin e ardhjes së papa Piut II në Ballkan, ai do ta kurorëzonte mbret Skënderbeun. Përfshirja e të gjitha viseve të lira shqiptare në një shtet të vetëm u pasqyrua edhe në marrëdhëniet e tij me oborrin osman. Prandaj në vitin 1463 sulltan Mehmeti II nënshkroi traktat paqeje vetëm me Skënderbeun dhe ai ishte i detyrueshëm edhe për fisnikët e tjerë shqiptarë, siç dëshmojnë p.sh. mirë dokumentet e kohës që kanë shënuar pakënaqësinë e trashëgimtarëve të Gj. Arianitit për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej tij.
 
Rreziku i përhershëm osman mbi jetën e shqiptarëve ndikoi që, në procesin e formimit të një shteti të vetëm shqiptar në të gjitha viset e lira, të vepronin kryesisht faktorët e mirëkuptimit.
 
Bashkimi dhe përfaqësimi i familjeve të mëdha aristokrate shqiptare në një shtet të përbashkët u shpreh edhe në lidhjet martesore ndërmjet tyre, veçanërisht me Kastriotët, në simbolet shtetërore që lidheshin me të, si dhe në individualitetin kombëtar të tij dhe në traditën historike vendase.
 
 
 
 
Organizimi shtetëror
 
Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare, që u krijuan me vendimet e Kuvendit të Lezhës, qysh në fillim u ndërthurën me aparatin shtetëror administrativ, ushtarak dhe ekonomik të Kastriotëve dhe me kalimin e viteve u njësuan natyrshëm me të, sepse në krye të tyre ishte i njëjti personazh historik, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare u shfaqën me tiparet e një pushteti qendror, ndikimi i të cilit erdhi duke u forcuar gjithnjë e më tepër mbi të gjitha viset e lira shqiptare, aq sa edhe aparati administrativ dhe ekonomik i fisnikëve të tjerë shqiptarë u bënë pjesë e tij. Viset e lira shqiptare u përfshinë kështu në një administratë të vetme shtetërore, që kishte tiparet e një monarkie feudale.
 
Organet qendrore drejtuese, vendimmarrëse, këshillimore dhe ushtarake të shtetit shqiptar ishin: Kryetari i Shtetit, Kuvendi i Fisnikëve, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës.
 
Kryetari i Shtetit drejtonte të gjitha organet e mësipërme dhe qëndronte në krye të piramidës shtetërore. Për pushtetin e tij do të flitet më poshtë.
 
Kuvendi i Fisnikëve shqiptarë ishte institucioni më i lartë vendimmarrës i shtetit shqiptar. Si organ pushteti ai mblidhej herë pas here për çështje shumë të rëndësishme dhe që kishin të bënin kryesisht me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftë përkrah apo kundër vendeve të tjera dhe me nënshkrimin me to të traktateve të paqes. Kuvendi i Fisnikëve qëndroi si institucion deri në fund të jetës së Skënderbeut dhe nëpërmjet tij ruhej bashkimi i shqiptarëve.
 
Këshilli i Lartë ishte organ i përhershëm këshillimor pranë kryetarit të shtetit, që shprehte interesat e fisnikëve shqiptarë. Anëtarët e tij ishin bashkëpuntorët më të ngushtë të Skënderbeut, si Pal Engjëlli, Kont Urani, Tanush Topia, Moisi Golemi (Arianiti) etj. Këshilli i Lartë shqyrtonte çështje të rëndësishme të jetës së brendshme të shtetit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij me vendet e tjera.
 
Këshilli i Luftës kishte një veprimtari të kufizuar dhe mblidhej kryesisht gjatë aksioneve luftarake për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Skënderbeun. Në të bënin pjesë komandantët e reparteve ushtarake.
 
Krahas organeve të mësipërme, që formonin pjesën vendimmarrëse dhe drejtuese të aparatit shtetëror, vepronin edhe organe të tjera shtetërore, që merreshin më çështje organizative, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të politikës së jashtme. Aparati shtetëror ishte shtrirë në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat, si kudo në mesjetë, ishin tradicionale si ndarje krahinore e kishtare.
 
Emërtesat e funksionarëve e të nëpunësve të administratës shtetërore përgjithësisht ishin trashëguar prej terminologjisë së administratave shtetërore lindore (bizantine e sllave) dhe perëndimore (anzhuine e veneciane), që kishin vepruar më parë në Shqipëri. Po kështu ndodhte edhe me hierarkinë kishtare dhe aparatin administrativ të saj në Shqipëri, ku ushtronin veprimtarinë e tyre kisha katolike dhe ajo ortodokse bizantine e sllave.
 
Në shtetin e bashkuar shqiptar fisnikët i ruajtën deri në një farë mase të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e tyre dhe kryenin detyrën e logothetëve të dikurshëm të administratës shtetërore bizantine, duke vepruar si mëkëmbës të kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ata kishin nën varësinë e tyre aparatin administrativ e ushtark të krahinave që ishin përfshirë nën juridiksionin e tyre. Aparati administrativ i një krahine zakonisht kishte në krye një vojvodë. Nën varësinë e tij ishin: qefalitë, që ishin komandantët e garnizoneve të kështjellave, psarët, që ishin nëpunës të administratës, si dhe proniarët e krerët, të cilët si feudalë të vegjël, kishin për detyrë të vilnin taksat për vete e për pushtetin qendror dhe të shkonin në luftë.
 
Pranë kryetarit të shtetit, Skënderbeut, ishte edhe një aparat ekonomiko-financiar për administrimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit, që drejtohej nga protovestiari dhe ndihmësi i tij, ruajtësi i thesarit (thesaureri).
 
Për marrëdhëniet me vendet e tjera Skënderbeu kishte një aparat të veçantë të përbërë nga kancelarët dhe nga ambasadorët apo të ngarkuarit (oratorët). Kancelarët përpilonin në gjuhë të huaj shkresa të ndryshme, si traktate që do të nënshkruanin me vende të tjera, akte përfaqësimi për personat e ngarkuar me misione të ndryshme, diploma dhe akte publike etj. Shkresat e dala nga administrata e shtetit shqiptar, disa prej të cilave janë ruajtur në arkivat evropiane deri në ditët tona, dëshmojnë për kulturën e lartë humaniste të Skënderbeut dhe të oborrtarëve të tij. Ambasadorët dhe oratorët e tij Skënderbeu i pajiste me autorizime të veçanta dhe kështu ata kishin të drejtë ta përfaqësonin atë dhe të përfundonin e të nënshkruanin në emër të tij, si kryetar shteti, traktate të rëndësishme me mbretërit e kryetarët e shteteve të huaja. Ambasadorët dhe oratorët e Skënderbeut ishin klerikë e laikë të kulturuar, që njihnin me themel gjuhët e huaja, si latinishten, italishten, turqishten, greqishten etj.
 
Kryetari i Shtetit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku feudal. Titulli zyrtar i tij ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae). Në vitin 1464 Skënderbeu do të kurorëzohej mbret prej papa Piut II, një e drejtë ekskluzive kjo e kreut të kishës. Ceremonia për marrjen e skeptrit mbretëror nga Skënderbeu ishte parashikuar të organizohej me rastin e ardhjes në Shqipëri të vetë papa Piut II në krye të ushtrive evropiane, si kryekomandant i së cilës do të ishte Skënderbeu.
 
Të drejtat e një monarku si kryetar shteti Skënderbeu i ushtronte në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, si në marrëdhëniet me nënshtetasit e vet, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Ai ishte në krye të të gjitha strukturave të aparatit shtetëror, të cilat zbatonin urdhrat e tij. Ashtu si monarkët e tjerë të kohës së tij, Skënderbeu shpallte dekrete, si akte normative, për shpërndarjen e pronave tokësore e të pasurive të tjera personave që dalloheshin në veprimtarinë ushtarake dhe civile, për shpronësimin e atyre që dëmtonin interesat shtetërorë etj. Skënderbeu nxirrte urdhra për sistemin tatimor, regjimin e doganave dhe detyrime të tjera që, sipas së drejtës feudale, kishin nënshtetasit e tij.
 
Po ashtu si organet e mësipërme shtetërore vendimore, këshillimore, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera, edhe aparati gjyqësor ishte nën varësinë e kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ai ushtronte të drejtën e dënimit me burgim, me konfiskim pasurie, me gjoba etj., si dhe të faljes së nënshtetasve të vet për fajet dhe shkeljet e ligjeve.
 
Si një monark pushteti i Skënderbeut ishte i trashëgueshëm. Kur ai largohej nga atdheu dhe shkonte me misione të rëndësishme në vendet e tjera, meqenëse djalin e kishte të mitur, të drejtat e tij si kryetar shteti i ushtronte e shoqja, Donika. Ajo ndihmohej në kryerjen e detyrave shtetërore prej këshilltarëve të oborrit. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut dhe emigrimit në Itali të pasardhësve të tij, atyre iu ruajt e drejta e trashëgimisë për shumë kohë në Shqipëri. Kur djali i Skënderbeut, Gjoni, dhe më pas i nipi, Gjergji, arritën moshën madhore, u mirëpritën nga bashkëkombasit e tyre, si trashëgimtarë të ligjshëm, kur u rikthyen në Shqipëri dhe nisën luftën për rimëkëmbjen e shtetit të Skënderbeut. Gruaja dhe pasardhës të tij u trajtuan si familje mbretërore në oborret italiane dhe në atë spanjoll pas emigrimit nga Shqipëria.
 
 
E drejta dhe simbolet shtetërore
 
Shteti shqiptar mbështetej mbi të drejtën feudale, që ishte një e drejtë privilegji, laike e kishtare, e një shoqërie të shtresëzuar e të diferencuar nga ana ekonomike, politike e kulturore. E drejta në Shqipëri ishte një trashëgimi historike që kishte individualitetin e vet kombëtar. Korpusi i legjislacionit të saj nuk ka ardhur i plotë deri në ditët tona. Janë ruajtur fragmente nga statutet e qyteteve shqiptare dhe kohët e fundit është zbuluar i plotë Statuti i Shkodrës. I shkruar gjatë shek. XV, ky statut na njeh me normat që rregullonin jetën e brendshme të qyteteve dhe më gjerë me organizimin e shoqërisë shqiptare gjatë epokës së Skënderbeut.
 
E drejta që vepronte në Shqipëri gjatë periudhës së Skënderbeut ishte e zhvilluar dhe përfshinte një varg normash në fusha të ndryshme të jetës së asaj shoqërie. Sipas tyre prona, veçanërisht ajo mbi tokën, trashëgohej në vijën mashkullore dhe, në mungesë të djemve, në vijën femërore. Kur vajza martohej, asaj i jepej si prikë një pjesë e pasurisë atërore, në para ose si prona, të cilat noterizoheshin në emër të saj. Krahas kësaj trashëgimie ligjore, njihej edhe trashëgimia me testament. Në fushën e pronësisë mbi tokën, nëpërmjet akteve normative e kontratave përcaktoheshin llojshmëria dhe sasia e detyrimeve në të holla, në prodhime në natyrë dhe në punë angari që kishin fshatarët pa tokë ndaj pronarëve, pronarët ndaj zotërve të tyre si dhe ndaj shtetit etj. Po kështu, me punëtorët dhe specialistët e mjeshtërive të ndryshme, të ndërtimit, të armëve etj., bëheshin kontrata sipërmarrjeje, ku përcaktoheshin afatet kohore të shërbimeve dhe pagesat e tyre.
 
Normat e së drejtës në kohën e Skënderbeut parashikonin edhe masa shtrënguese ndaj veprave penale kundër jetës, shëndetit, pasurisë dhe interesave të individëve të veçantë, të bashkësive shoqërore dhe të institucioneve shtetërore. Masat ndëshkimore ndaj veprave penale ishin të larmishme e të shkallëzuara. Personat që drejtpërdrejt ose tërthorazi dëmtonin pronën e të tjerëve, që nuk përmbushnin detyrimet ndaj zotërve të tyre dhe që braktisnin pronat e këtyre, detyroheshin të zhdëmtonin, ndryshe ndëshkoheshin edhe më rëndë.
 
Në kushtet e jetës së trazuar politike dhe ushtarake të Shqipërisë gjatë shek. XV parashikoheshin dënime të rënda, si shpronësime, burgime dhe dënime me vdekje ndaj personave që braktisnin luftën apo që kalonin në anën e kundërshtarëve të zotërve të tyre. Mbartësit e qëndrimeve të tilla Skënderbeu, i cili si Kryetar shteti ishte njëherazi edhe gjykatësi më i lartë i vendit, i ndëshkoi rëndë edhe kur ato u shfaqën në gjirin e familjarëve të tij. Kështu, p.sh., një nipin e vet, që u bashkua me osmanët, e burgosi, kurse një të dytë e ekzekutoi. Krahas masave ndëshkimore, njihej edhe falja e dënimit. Kur Moisi Golemi (Arianiti) u kthye i penduar pranë Skënderbeut, ky i riktheu pronat që i kishte konfiskuar Moisiut, kur u bashkua me osmanët.
 
Shtresëzime të legjislacionit mesjetar gjenden edhe në të drejtën dokesore shqiptare, që është një trashëgimi shumë e lashtë, ku janë ndërthurur tradita e vetorganizimit shoqëror lokal, në shkallë fshati e më gjerë, me legjislacionin shtetëror të kohës, i cili mbarte norma të trashëguara edhe nga e drejta romake dhe ajo bizantine. Prandaj e drejta dokesore njihet me emërtimin osman kanun, që do të thotë ligj. Edhe në vendet e tjera ballkanike, siç e dëshmon kodi i Stefan Dushanit, e drejta dokesore e popujve të tyre ka qenë në themel të Korpusit legjislativ shtetëror të shkruar, që sanksiononte marrëdhëniet juridike ekonomike e politike të nënshtetasve me shtetin dhe kryetarin e tij.
 
Disa norma të së drejtës dokesore kanë evoluar gjatë shekujve në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare. E drejta dokesore gjithnjë ka qëndruar si bosht për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve. Ajo qëndronte e vepronte në moralin dhe në jetën e shqiptarëve mbi dallimet shoqërore, mbi besimet e ndryshme fetare që ata kishin, kurse elementin jo shqiptar e drejta dokesore e përjashtonte nga një barazi e tillë. Në të nuk mungonin edhe elementë lokalë dallues, por ishin dytësorë në krahasim me normat e përbashkëta kombëtare të së drejtës dokesore. Kësaj i nënshtrohej kushdo në Shqipëri, madje edhe e drejta kishtare (kanonike), që njihej mirë për konservatorizmin e saj dhe për masat e ashpra ndëshkimore, të cilat i kërkonte të merreshin ndaj personave që shmangeshin nga normat kishtare. Nuk mungojnë dokumentet mesjetare dhe të periudhave më të vonshme që përmendin raste të shumta, kur klerikët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare, të ndodhur përballë çështjeve të tilla, zgjidhja e të cilave nuk përputhej me normat e të dy të drejtave (dokesore dhe kishtare), gjithnjë kanë respektuar e vepruar sipas së drejtës dokesore, duke shkelur atë kishtare.
 
Në rajone të gjera të Shqipërisë, që gjatë shek. XV kanë qenë pjesë e viseve të lira shqiptare, e drejta dokesore jo rastësisht ka arritur të njihet deri në ditët tona me emërtimet "kanuni i Skënderbeut", "kanuni i Lekë Dukagjinit" etj. Kjo dëshmon se e drejta dokesore, si një trashëgimi historike, ka qenë natyrshëm në themel të veprimtarisë shoqërore dhe të legjislacionit shtetëror të shqiptarëve gjatë shek. XV. Prandaj, edhe për këtë arsye, veprimtaria politike dhe legjislative e Skënderbeut gjeti mbështetje të gjerë shoqërore, përpos faktit që pushtimi osman u rrezikonte interesat ekonomikë e pronësorë, fetarë e kulturorë, politikë etj., të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare.
 
Vend të veçantë në të drejtën dokesore shqiptare kishte institucioni i besës. Besa ishte kult kombëtar aq sa ka zënë vend edhe në korrespondencën e fisnikëve shqiptarë me shtetet e huaja dhe fjala shqipe “besë” e këtij institucioni është huazuar edhe nga gjuhët e popujve fqinjë. Në një letër të vitit 1420 drejtuar Republikës së Raguzës, në vend të emrave Zot e Krisht që përdoreshin si formulë përbetimi, Gjon Kastrioti ka vënë fjalën besë: “Besa ime, e zotit Gjon, dhe e bijve të mi për çdo tregtar ... i kam dhënë besën kujtdo që vjen në tokën time në Shufada se, në rast se i bëhet ndonjë dëm ose ndonjë e keqe, ... do të paguaj unë, zoti Gjon, ose bijtë e mi”. I biri i tij, Skënderbeu, ka shkruar në vitin 1460 : “Të mbajmë besën, për mbrojtjen e së cilës kemi përballuar rreziqe të mëdha, edhe pse gjithnjë kam qenë përpara një vdekjeje të sigurt”.
 
Organizimi shtetëror i shoqërisë shqiptarë gjatë epokës së Skënderbeut dhe shekujve të mëparshëm të mesjetës ka qenë ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar. Pjesë e këtij korpusi legjislativ kanë qenë edhe statutet e qyteteve shqiptare, të cilat, sipas burimeve historike të kohës, kanë qenë të shkruara. Këto dëshmojnë më së miri se veprimtaria shoqërore e shtetërore në Shqipëri zhvillohej mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar.
 
Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut, kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Prandaj, ai mbajti si emër të dytë vetjak përgjegjësen e emrit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, që te osmanët ishte Iskander (Skënder në gjuhën shqipe). Siç e dëshmon edhe M. Barleci, emërtimet gjeografike Maqedoni dhe Epir janë përdorur në mesjetë si sinonime të emërtimit etnogjeografik Arbëri. Për më tej, krahas evokimit të lavdisë së Pirros dhe të epirotëve të lashtë (sinonim i emrit “arbër” gjatë mesjetës), Skënderbeu përdori edhe simbolet shtetërore të Pirros së Epirit (shqiponjën dhe përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhie), të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (shenja e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Simbolet dhe evokimet e mësipërme dëshmojnë për formimin e tij kulturor humanist dhe tregojnë se ai mbështetej në traditën vendase për t'i dhënë një frymë sa më kombëtare shtetit të tij dhe luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.
 
Shtetin e tij Skënderbeu e emërtoi me emrin etnogjeografik kombëtar mesjetar Arbëria (Albania) edhe pse në të u përfshi një pjesë e viseve shqiptare. Titulli zyrtar i Skënderbeut ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae), të cilin e gjejmë të shënuar në vulën e në shkresat zyrtare të tij, si dhe në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit shqiptar. Shkresat zyrtare të Skënderbeut, që njihen deri tani dhe që kanë dyllin me gjurmën e vulosjes së tyre, tregojnë se kryetari i shtetit shqiptar ka pasur dy vula zyrtare, që kishin madhësi e simbole të ndryshme.
 
Vula e madhe zyrtare e Skënderbeut ishte në formë rrethore me diametër 41 mm dhe perimetër afro 125 mm. Në qendër ajo kishte shqiponjën dykrenore dhe yllin me gjashtë cepa, të vendosur ndërmjet krerëve të saj. Anash vula kishte rrethin me shkronja të mëdha GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Në krye të rrethit të vulës ishte shenja e diellit me tetë rreze, që ndante fillimin dhe mbarimin e emërtimit GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Shenja e diellit me tetë rreze ka qenë simbol shtetëror i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Nën krerët e shqiponjës dhe mbi krahët e saj kishte inicialet D AL të fjalëve Dominus Albaniae. Këto iniciale të fjalëve Dominus Albaniae, që përbënin titullin zyrtar të Skënderbeut, tregonin pozitën juridike të tij (Dominus) si kryetar shteti, si dhe emrin e shtetit (Albania), ku ai ushtronte pushtetin e tij.
 
Vula e vogël e Skënderbeut ishte skalitur në gurin e çmuar të unazës personale të tij. Ajo kishte formë tetëkëndëshe me përmasa maksimale 9 mm gjatësi dhe 7 mm gjerësi. Simbolet e saj ishin marrë nga mitologjia e lashtë pellazgjike. Në gurin e vulës së vogël ishin skalitur dy figura të mitologjisë pellazgjike: mbretëresha Leda dhe Zeusi i Dodonës i shndërruar në mjellmë. Si simbole më përfaqësuese për shtetin shqiptar Skënderbeu përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa, simbole këto që ishin mjaft të njohura në mjedisin shqiptar. Këto simbole ishin edhe në stemën dhe në flamurin shtetëror. Në një katolog venecian stemash është vizatuar në mes të viteve 60 të shek. XV stema e Kastriotëve, kur djali i Skënderbeut, Gjoni, mori titullin “fisnik venecian”. Gjithashtu stema ruhet e gdhendur në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstandinit, që gjyshja e tij, Donika, ia ngriti në Napoli të Italisë në vitin 1500. Shqiponja e zezë dykrenore, siç e ka treguar M. Barleci, ka qenë e vendosur edhe në qendër të flamurit të Skënderbeut që fushën e kishte të kuqe.
 
Shqiponja dykrenore ishte simbol i njohur shtetëror i Perandorisë Bizantine dhe i familjes së Muzakajve, që kishin krushqi me Kastriotët. Edhe Arianitët dhe Gjurashët kishin shqiponjën dykrenore si simbol të tyre. Kurse ylli me gjashtë dhe shtatë cepa ishte përdorur si simbol nga Muzakajt dhe nga Balshajt. Ylli me gjashtë cepa duhe të ketë qenë vendosur edhe ndërmjet krerëve të shqiponjës në flamurin e Skënderbeut, si një element dallues kundrejt flamurit të Perandorisë Bizantine.
 
Vula me shqiponjë, si simbol shtetëror i Skënderbeut, del se është përdorur për herë të parë në letra që janë shkruar gjatë mesit të viteve 50 dhe ndoshta jo rastësisht. Në të njëjtën kohë me vulën duhet të jetë përdorur edhe flamuri me fushë të kuqe dhe shqiponjën dykrenore në mes, që e ka patur Perandoria Bizantine. Nëpërmjet këtyre simboleve synohej që të shprehej uniteti i viseve të lira shqiptare dhe të tregohej se pas pushtimit të Konstandinopojës prej turqve më 1453, shqiptarët ishin forca kryesore antiosmane që luftonte në ish zotërimet e Perandorisë Bizantine. Këto simbole të reja pushteti të përdorura nga Skënderbeu pasqyrojnë procesin e krijimit të një shteti të vetëm në tokat e lira shqiptare.
 
Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar u bë Kruja. Ndonëse në hapësirat e këtij shteti kishte qytete të tjera më të mëdha e më të rëndësishme si qendra ekonomike, si Prizreni e Ohri, për shkak të pozicionit të vet gjeografik shumë të favorshëm Kruja u bë kryeqendra administrative e viseve të lira shqiptare. Nëpërmjet rrugëve të shumta tokësore e detare që kryqëzoheshin pranë saj, Kruja, si qendër administrative, kishte komunikimin më optimal me të gjitha viset shqiptare dhe me shtetet e huaja.
 
 
 
Ushtria shqiptare dhe arti i saj ushtarak
 
Përballimi me sukses i luftës kundër pushtuesve osmanë kërkonte në radhë të parë krijimin e një ushtrie të aftë dhe me cilësi të lartë luftarake.
 
Si njohës i mirë i ushtrisë osmane, i organizimit dhe i armatimit të saj, Skënderbeu, që në fillim, vuri në qendër të vëmendjes organizimin dhe fuqizimin e forcave ushtarake të vendit, që të ishin në gjendje të përballonin një kundërshtar aq të fuqishëm. Në Kuvendin e Lezhës të marsit 1444 u vendos që, me kontributin e pjesëmarrësve të tij, të krijohej një ushtri e përbashkët. Bërthamën kryesore të saj e formuan luftëtarët që i mobilizonte vetë Skënderbeu, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Në fillim forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare kishin karakter federal, sepse fisnikët shqiptarë, jashtë ushtrisë së përbashkët që ishte nën komandën e Skënderbeut, mbanin një numër jo të vogël forcash ushtarake. Këto trupa, gjatë procesit të formimit të shtetit të bashkuar shqiptar, u shkrinë me forcat e ushtrisë së përbashkët.
 
Masa e luftëtarëve vinte kryesisht nga radhët e fshatarësisë. Ajo mbante një qëndrim të papajtueshëm ndaj pushtetit osman dhe ishte në gatishmëri të tillë të përhershme luftarake aq sa, siç shprehej Barleci, "burrat me njërën dorë lëronin arat dhe me tjetrën mbanin shpatën". Fshatarësia u bë burim i pashtershëm forcash njerëzore për formimin e një ushtrie të madhe popullore, të fuqishme, me shpirt të lartë vetëmohimi, të panjohur në kushtet e luftërave të zakonshme feudale.
 
Ushtria shqiptare përbëhej nga trupat e përhershme dhe nga luftëtarë që mobilizoheshin vetëm gjatë kohës së luftës. Trupat e përhershme ishin ndarë në dy njësi kryesore. Njëra përbëhej prej 2 mijë deri 3 mijë kalorës të armatosur lehtë, të cilët stërviteshin prej Skënderbeut dhe shërbenin si gardë personale e tij. Pjesa tjetër ruante fortesat dhe kështjellat e vendit, si dhe brezin kufitar lindor. Trupat në viset kufitare lindore i komandonte Moisi Arianiti (Golemi) dhe, sipas M. Barlecit, përbëheshin nga 2 mijë kalorës dhe 1 mijë këmbësorë. Masën kryesore të ushtrisë shqiptare e formonin luftëtarët që mobilizoheshin gjatë kohës së luftës sipas parimit "burrë për shtëpi". Kur rreziku ishte tepër i madh, mobilizoheshin të gjithë banorët që mund të luftonin. Kur bëhej mobilizimi i përgjithshëm, forcat ushtarake shqiptare arrinin nga 20 mijë deri në 30 mijë luftëtarë, duke formuar një ushtri të madhe për kohën.
 
Komanda e ushtrisë ishte në dorën e Skënderbeut, që ishte komandant i përgjithshëm. Për t'u konsultuar gjatë veprimeve ushtarake pranë tij qëndronte Këshilli i Luftës, i përbërë nga komandantët më të shquar, të cilët zakonisht dilnin nga radhët e fisnikëve. Kishte edhe komandantë që dilnin nga radhët e njerëzve të thjeshtë, të cilët drejtonin formacionet e ndryshme luftarake, sidomos kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm.
 
Pjesëmarrja e gjerë e shqiptarëve në ushtrinë e Skënderbeut la gjurmët e veta në taktikën dhe armatimin e saj. Në kushtet e vendit tonë mori përhapje të gjerë lufta guerile, formë tradicionale kjo e luftës së fshatarësisë në epoka e vende të ndryshme. Ushtria shqiptare përbëhej nga kalorësia, që përgjithësisht ishte e pakoracuar, prandaj lëvizte me shpejtësi, dhe nga këmbësoria. Luftëtarët e saj përgjithësish kishin armatim të lehtë dhe nuk mbanin armatime të rënda si ato që përdoreshin në ushtrinë feudale të kohës. Skënderbeu e mbështeti strategjinë dhe taktikën ushtarake në trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të tij, në traditën luftarake të shqiptarëve, në njohjen prej tij të organizimit e të artit ushtarak të armikut etj.
 
Ushtria shqiptare kishte si detyrë parësore moslejimin e trupave osmane që të futeshin në thellësi të viseve të lira për të grabitur e shkatërruar vendin. Këtij qëllimi i shërbente sistemi mbrojtës i brezit kufitar, të cilit iu kushtua kujdes i veçantë. Pasi trupat osmane pushtuan Stefigradin, shqiptarët, pa vonesë, ngritën në viset lindore një bazë tjetër ushtarake e të fortifikuar, kështjellën e Modrishës. Zakonisht ushtritë armike sulmoheshin e shpartalloheshin në zonat kufitare. Kur ushtritë osmane ishin shumë të mëdha dhe nuk mund të shkatërroheshin në brezin kufitar, Skënderbeu ndërmerrte masa energjike për të përballuar zhvillimin e luftimeve në thellësi të vendit. Popullsia e paaftë për luftë largohej prej zonave që mund të shkeleshin prej ushtrive armike dhe strehohej përkohësisht nëpër vende malore e të sigurta, duke marrë me vete bagëtinë, rezervat ushqimore e sende të ndryshme. Materialet e prodhimet, që nuk mund të transportoheshin, asgjësoheshin me qëllim që trupave pushtuese t'u hiqej mundësia e përdorimit të tyre. Ndërkohë kështjellat përforcoheshin, duke i furnizuar me luftëtarë, armatime e rezerva ushqimore. Kur trupat osmane arrinin të futeshin në thellësi të vendit, luftëtarët e brezit kufitar tërhiqeshin të organizuar dhe bashkoheshin me pjesën tjetër të forcave shqiptare. Gjatë tërheqjes ata sulmonin pareshtur trupat osmane, ngadalësonin marshimin e tyre, duke u shkaktuar dëme të mëdha.
 
Kur arrinin të depërtonin në thellësi të vendit, synimi kryesor i trupave osmane ishte pushtimi i Krujës, që ishte kryeqendra administrative dhe ushtarake për viset e lira shqiptare. Në këto raste Skënderbeu i organizonte veprimet luftarake në mënyrë të tillë, që pesha kryesore e luftimeve të binte jo mbi mbrojtësit e kështjellës, por mbi luftëtarët që vepronin jashtë saj. Me shumicën e ushtrisë ai qëndronte jashtë kështjellës dhe organizonte me to, ditën dhe natën, sulme të pandërprera e të befasishme, që u shkaktonin dëme të rënda forcave pushtuese. Vëmendje të veçantë i kushtonte Skënderbeu edhe prerjes së rrugëve të furnizimit të armikut. Sulmoheshin karvanet që vinin nga lindja për të furnizuar ushtrinë osmane me ushqime e sende të tjera të nevojshme, si dhe ato që vinin nga drejtime të tjera. Këtë detyrë e kryenin sidomos çetat e armatosura.
 
Skënderbeu i kushtoi kujdes edhe organizimit të zbulimit. Zbuluesit shqiptarë gjendeshin kudo, në krahinat fqinjë, në zonën ku marshonte, qëndronte e vepronte ushtria armike dhe në qendër të Perandorisë Osmane,. Nëpërmjet tyre siguroheshin të dhëna të karakterit strategjik, operativ e taktik që kishin të bënin me kohën e ardhjes së ushtrisë armike, me madhësinë e organizimin, si dhe me lëvizjen e veprimet luftarake të saj etj. Zbuluesit i paraprinin ushtrisë shqiptare, kur kjo futej në vise të pushtuara. Ata organizoheshin në grupe, lëviznin në largësi të caktuara ndërmjet tyre dhe kontrollonin mirë terrenin për të shmangur pritat e armikut, dërgonin shpejt në drejtim të Skënderbeut informacionin e grumbulluar.
 
Variantet taktike që përdorte Skënderbeu për të shpartalluar ushtrinë armike ishin të larmishme e mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes me sulmin, të mësymjes së ushtrisë së rregullt me goditjen e çetave, të ndeshjeve ballore me sulmet e befasishme, duke futur në përdorim si këmbësorinë ashtu edhe kalorësinë e armatosur lehtë. Në çdo luftim Skënderbeu përpiqej ta parashikonte ecurinë e tij, sulmonte e hapte beteja në kushte që i dukeshin më të përshtatshme. Ai gërshetoi dhe përdori gjerësisht manovrën e shpejtë të forcave të veta me sulmet e befasishme mbi ushtritë armike në çdo kohë, ditën dhe natën, duke i shoqëruar këto në mënyrë të përsosur me prita e kurthe të ndryshme.
 

Skënderbeu kishte aftësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ai ishte në të njëjtën kohë strateg dhe ushtar, hartonte e ndryshonte në përshtatje me situatat planin e luftës, udhëhiqte ushtrinë dhe njëkohësisht luftonte edhe vetë.

________________________________________________________________________ 

 

Betejat shqiptaro-osmane të viteve 60
 
Fitoret e ushtrisë shqiptare në vitet 1462-1465
 
Pas humbjes së rëndë që pësuan në betejën e Ujëbardhës të vitit 1457, ushtritë osmane i ndërprenë për disa vjet sulmet e tyre mbi viset e lira shqiptare. Në vitin 1460, para se Skënderbeu të dërgonte grupin e parë të luftëtarëve të tij në ndihmë të mbretërisë së Napolit, ndërmjet tij dhe oborrit osman u nënshkrua një armëpushim që vazhdoi dy vjet. Pas kthimit të Skënderbeut më 1462 nga ekspedita ushtarake e Italisë, luftimet me ushtritë osmane rifilluan me intensitet.
 
Ndërkohë sulltan Mehmeti ndërmori veprime intensive për zgjerimin e pushtimeve osmane në Ballkan dhe gjatë vitit 1463 i udhëhoqi vetë trupat për nënshtrimin e Bosnjës dhe të Moresë (Peloponezit). Madje, për rivendosjen e zgjerimin e pushtimeve në Fushë-Dardani, Rrafshin e Dukagjinit, Jeliçe (sanxhak), etj., qysh gjatë viteve 1458-1462 ushtritë osmane u futën në Rrafshin e Dukagjinit dhe, ndoshta përkohësisht, morën Prizrenin (1458), Pejën (1463) dhe qendra të tjera të rëndësishme. Sipas dokumenteve autentike, kur ushtritë osmane pushtuan Bosnjën më 1463, po këtë vit në kështjellat e Fushë-Dardanisë, Rrafshit të Dukagjinit dhe të Jeliçes (sanxhaku), si mbrojtës të tyre u caktuan persona të tjerë, sepse nuk ekzistonte më asnjë nga mbrojtësit që ishin vendosur në vitin 1455. Ato rajone kishin qëndruar të lira. Edhe pas vitit 1463 pushteti osman mbeti formal dhe i pakonsoliduar në rajonet e Shqipërisë së Epërme.
 
Gjatë viteve 60 sulltan Mehmeti II angazhoi në luftime kundër shqiptarëve komandantët e zonave kufitare, duke i përforcuar ato edhe me trupa të tjera.
 
Gjatë vitit 1462, sipas M. Barlecit, shqiptarët shpartalluan njëra pas tjetrës tri ushtri osmane. Së pari ato u ndeshën në të njëjtën kohë me dy ushtri osmane. Ushtria e parë e komanduar nga Sinan Beu, pasi hyri në Mokër, u sulmua befasishëm në të gjitha drejtimet, prej ushtrisë së Skënderbeut dhe u shpartallua. Pa humbur kohë, shqiptarët iu drejtuan ushtrisë së dytë, të komanduar nga Hasan Beu, që ishte vendosur në afërsi të qytetit të Ohrit, e goditën atë në befasi dhe e thyen, duke zënë rob edhe komandantin e saj. Kur luftëtarët shqiptarë po merrnin rrugën e kthimit për në Krujë, ata u njoftuan se një ushtri e tretë e komanduar prej Isuf Beut po marshonte nga Shkupi në drejtim të Shqipërisë. Skënderbeu vendosi të hynte menjëherë në betejë dhe ta sulmonte ushtrinë osmane atje ku ajo nuk e priste. Me shpejtësi luftëtarët shqiptarë largohen nga rajoni i Ohrit, i drejtohen Kërçovës dhe vijojnë rrugën që kalonte përgjatë lumit Treska për të arritur në afërsi të Shkupit, ku e sulmojnë befasishëm ushtrinë osmane dhe e shpartallojnë atë.
 
Në të dalë të vjeshtës së vitit 1462, një ushtri e katërt e komanduar nga Karaxha Beu u nis kundër viseve të lira shqiptare dhe e vendosi fushimin e vet në fushën e Livadhit, pranë qytetit të Ohrit. Skënderbeu e sulmoi atë në çastin kur gjendej e papërgatitur për luftë, por moti me shi bëri që të ndërpritej zhvillimi i betejës. Kjo u dha mundësi trupave osmane të tërhiqeshin pa pësuar humbje të rënda.
 
Pas disfatave të njëpasnjëshme gjatë vitit 1462, sulltan Mehmeti II i propozoi paqe Skënderbeut, në një kohë kur ky i kishte humbur shpresat për organizimin e një lufte të përbashkët antiosmane në shkallë evropiane. Prandaj, në pranverë të vitit 1463, ndërmjet tyre u nënshkrua në Shkup traktati i paqes me afat 10-vjeçar. Por paqja nuk pati jetë të gjatë, sepse sulltani gjatë vitit 1463 u përpoq të rivendoste pushtetin e tij në rajonet e Rrafshit të Dukagjinit, të Sanxhakut, si dhe arriti të pushtonte Bosnjën dhe Morenë. Skënderbeu nuk mund të pajtohej me veprime të tilla që rrezikonin të ardhmen e tij si sundimtar i pavarur, gjë që është pasqyruar edhe në dokumente të vitit 1463 që flasin për gatishmërinë e tij për të ndihmuar Bosnjën.
 
Luftimet rifilluan në gusht të vitit 1464, kur një ushtri e komanduar nga Sheremeti u vendos pranë qytetit të Ohrit. Luftëtarët shqiptarë iu drejtuan Ohrit dhe kur arritën në afërsi të tij, Skënderbeu dërgoi 500 kalorës në drejtim të ushtrisë osmane për ta mashtruar që t'i ndiqte nga pas, deri në vendin ku qëndronin të fshehur luftëtarët shqiptarë. Sipas parashikimit të Skënderbeut, ushtria osmane u vu në ndjekje të kalorësve shqiptarë dhe kur arriti në pritën, që shqiptarët e kishin ngritur mjeshtërisht, ajo pësoi një katastrofë të plotë, duke humbur shumicën e ushtarëve. Në fillim të muajit shtator të vitit 1464, ndërkohë që ushtria hungareze kishte çliruar rajone të tëra të Bosnjës Veriore, Skënderbeu i nisi trupat e veta të drejtim të viseve të ish-Despotatit serb të Rashës dhe, në rajonet pranë Sjenicës, u ndesh më 11 shtator me një ushtri osmane, të cilën e shpartalloi.
 
Pas këtyre disfatave sulltan Mehmeti II, sipas M. Barlecit, ngarkoi Ballaban Beun që të drejtonte ushtritë osmane për mposhtjen e qëndresës shqiptare. Nisur nga posti real ushtarak i tij, Ballaban Beu duhet të ketë qenë shoqëruesi kryesor dhe krahu i djathtë i komandantëve të ushtrive osmane, sepse si vendas ai njihte mjaft mirë rrugëkalimet nëpër viset shqiptare dhe mjedisin shqiptar. Ballaban Beu, i njohur sipas rrëfimit të M. Barlecit, me titullin pashë (Ballaban Pasha), ishte shqiptar dhe kishte një karrierë ushtarake të gjatë në shërbim të Perandorisë Osmane. Në regjistrin kadastral osman të Sanxhakut Shqiptar të vitit 835 h. (1431-1432) ai përmendet si timarli i katër fshatrave të vilajetit të Krujës, kurse dy vjet më pas emërohet dizdar i saj dhe gjatë viteve 1437-1439 do të ishte vartës i Skënderbeut kur ky u emërua si subash i Krujës. Ballabani përmendet aty si "gulam-i mir" dhe me cilësimin "i vogël" (Ballaban-i kyçyk), që është në përshtatje me përshkrimin që M. Barleci i bën fizikut të tij: "nga shtati ishte i shkurtër dhe i pakët". Pas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1443 Ballaban Beu emigroi familjarisht. Në mesin e viteve 60 dy djem të tij, Hamzai dhe Hiziri, përmenden si timarlinj në Maqedoninë Lindore (në lindje të Serezit). Ballabani përmendet ndërkohë si "ish-dizdar i Krujës", gjë që tregon se sulltani, kur e ngarkoi me detyrën që të shkatërronte forcat e Skënderbeut, i kishte premtuar së paku edhe postin që kishte pasur në vitet 30. Më pas, në tetor të vitit 1466, Ballabani përmendet si zotërues i një timari të madh në rajonin e Tetovës. Para se të vendosej këtu, Ballaban Beu duhet të ketë pasur në zotërim prona diku në rajonet që shtriheshin në lindje të Ohrit, sepse në afërsi të këtij qyteti ai do të zhvillonte luftimet me forcat e Skënderbeut.
 
Ballaban Beu ishte njohës shumë i mirë i terrenit, prandaj atij iu besua shoqërimi, ndoshta për raste të veçanta edhe drejtimi i forcave osmane për shkatërrimin e Skënderbeut, ish-epror i dikurshëm i tij. Ai u përforcua vazhdimisht me trupa të freskëta dhe në luftimet e pandërprera përdori gjerësisht sulme të befasishme dhe dredhi të shumta. Si detyrë kryesore ai duhet të ketë pasur pushtimin e qytetit të Ohrit.
 
Ndeshjen e parë me trupat e Ballabanit, sipas M. Barlecit, shqiptarët e zhvilluan në fushën e Falkalit (Valkalit) pranë malit Bigë (Furkë) në afërsi të Ohrit në vitin 1464. Plani i tij fillestar, që t'i sulmonte natën e në befasi shqiptarët, dështoi. Me gjithë dëmet e rënda që pësuan forcat e tij, nëpërmjet pritave që kishte ngritur Ballabani, arriti të dëmtonte komandën e ushtrisë shqiptare. Në kundërshtim me porositë e Skënderbeut, komandantët e reparteve shqiptare, duke ndjekur ushtrinë e shpartalluar osmane, u shkëputën shumë nga bashkëluftëtarët e tyre dhe ranë në pritën e armikut. Tetë komandantë të shquar, duke përfshirë edhe Mosi Golemin (Arianitin) u kapën prej ushtarëve osmanë. Skënderbeu bëri përpjekje të mëdha për lirimin e tyre duke i propozuar sulltanit shuma të mëdha të hollash dhe lirim të robërve osmanë. Por ai nuk pranoi dhe urdhëroi që, komandantët shqiptarë, pas torturave të tmerrshme, të ekzekutoheshin duke i rrjepur të gjallë. Pak më parë, në fillim të vitit 1461, kishte vdekur edhe Gjergj Arianiti që, pas Skënderbeut, kishte qenë personazhi më i rëndësishëm i luftës antiosmane të shqiptarëve.
 
Edhe pas humbjes së këtyre personaliteteve të jetës politike e ushtarake të vendit, shqiptarët e vazhduan me vendosmëri luftën kundër trupave osmanë. Në Oronik të Dibrës së Sipërme, pa u parë nga rojet shqiptare, Ballabani e afroi ushtrinë e vet pranë luftëtarëve shqiptarë për t'i gjetur në befasi. Në sajë të vigjilencës së Skënderbeut, i cili i zbuloi vetë forcat armike, luftëtarët shqiptarë u hodhën menjëherë në luftë dhe e fituan betejën. Pas kësaj, në krye të një ushtrie të re, Ballabani u përpoq gjatë tre muajve t'i zinte në befasi shqiptarët, por kur u bind se një sulm i tillë ishte i pamundur, u ndesh me ta në fushën e Falkalit (Valkalit) pranë malit Bigë të Ohrit dhe trupat e tij u thyen keqas.
 
Pas këtyre luftimeve, Ballabani u përpoq t'i shkatërronte forcat shqiptare, duke i goditur ata njëkohësisht nga dy drejtime të kundërta. Prandaj në verë të vitit 1465 u nisën në të njëjtën kohë kundër Shqipërisë dy ushtri, njëra në drejtim të Ohrit dhe tjetra kundër Krujës. Duke u informuar me kohë për lëvizjen e tyre, luftëtarët shqiptarë marshuan me shpejtësi, së pari në drejtim të ushtrisë që komandohej nga vetë Ballaban Beu dhe e shpartalluan krejtësisht atë po në fushën e Falkalit (Valkalit). Pas kësaj shqiptarët u kthyen në drejtim të viseve perëndimore për t'u ndeshur me ushtrinë e dytë, të komanduar nga Jakupi, një tjetër shqiptar ky, që e njihte mirë vendin. Për të mos u diktuar nga trupat e Skënderbeut, gjithnjë sipas rrëfimit të M. Barlecit, ushtria e Jakupit mori rrugët e Shqipërisë së Poshtme, që ishte e pushtuar, kaloi nëpër Berat dhe vijoi marshimin në drejtim të Krujës, e cila veç rojeve të kështjellës, nuk kishte luftëtarë të tjerë shqiptarë që të ndesheshin më ushtrinë e Jakupit. Skënderbeu, pasi shpartalloi më parë forcat e Ballabanit i drejtoi luftëtarët e tij kundër ushtrisë së Jakupit, që ishte vendosur në fushën e Tiranës. Në luftimet që u zhvilluan në rajonin e Kasharit, forcat osmane pësuan një disfatë të rëndë, duke mbetur i vrarë edhe komandanti i tyre.
 
Pas pesë betejave të ashpra, që luftëtarët e Skënderbeut zhvilluan gjatë një viti me ushtritë osmane të drejtuara nga Ballaban Beu, edhe pse shqiptarët kishin dalë fitimtarë, sulltan Mehmeti II mendoi se tashmë ata ishin të lodhur e të dobësuar në një masë të tillë, sa që nuk do të mund të përballonin një goditje vendimtare të të gjitha forcave ushtarake të Perandorisë Osmane.
 
 
Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit II (1466)
 
Në gjysmën e parë të viteve 60 kufijtë e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u zgjeruan. Brenda saj u përfshinë Bosnja Jugore dhe Peloponezi. I ndodhur në kushte të favorshme si asnjëherë tjetër, sulltan Mehmeti II, i mbiquajtur "Pushtuesi" (Fatihu), kërkoi të mposhtej me çdo kusht qëndresa heroike shqiptare dhe të dilte në detin Adriatik. Ai parashikoi ta bënte atë nëpërmjet një fushate ushtarake të tillë, që do të ishte më e fuqishmja nga të gjitha ato që ishin organizuar deri atëherë kundër shqiptarëve. Me kohë erdhën në Shqipëri njoftimet për përgatitjen që po bënte oborri osman për organizimin e një fushate ushtarake shumë të fuqishme kundër Shqipërisë. Ndërkohë shqiptarët ndërmorën masa energjike për fuqizimin e mbrojtjes së vendit, përforcuan kështjellat, fortesat etj. Kujdes të veçantë ata i kushtuan mbrojtjes së qytetit të Krujës. Garnizoni i kështjellës u vu nën komandën e Tanush Topisë dhe u pajis me mjete të shumta luftarake dhe me ushqimet e nevojshme për të përballuar një rrethim sa më të gjatë. Popullsia e paaftë për luftë, bagëtitë, pasuritë e ndryshme u vendosën nëpër malësi e vende të sigurta.
 
Në pranverë të vitit 1466, në krye të të gjitha forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, sulltan Mehmeti II mori rrugët në drejtim të Krujës. Pasi arriti në fillim të muajit maj në Manastir, iu drejtua viseve të lira shqiptare, duke marshuar nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Kur ushtria osmane hyri në viset e lira u gjend nën sulmet e pandërprera të çetave të shumta shqiptare, të cilat kishin zënë grykat dhe shtigjet. Me vështirësi të mëdha e me humbje të ndjeshme, ajo arriti të vendosej në fushën pranë Krujës.
 
Përballë taktikës së Skënderbeut, sulltani e ndau ushtrinë e vet në dy pjesë. Njëra e pajisur me të gjitha mjetet luftarake të kohës, duke përfshirë edhe topa, rrethoi Krujën. Tjetra mori urdhër të ndiqte e të asgjësonte ushtrinë shqiptare që vepronte jashtë kështjellës nën komandën e Skënderbeut, si dhe çetat e shumta që sulmonin karvanet e furnizimit.
 
Sulltan Mehmeti II u kërkoi mbrojtësve të kështjellës së Krujës dorëzimin e menjëhershëm dhe, pas kundërshtimit të tyre, ai urdhëroi marrjen e saj me luftë. Sulmet e furishme që ndërmorën trupat osmane, mbrojtësit e Krujës i përballuan me sukses. Detyrën atyre ua lehtësonin goditjet e furishme dhe shpartalluese të luftëtarëve që vepronin jashtë kështjellës nën komandën e Skënderbeut. Ata i bashkërendonin veprimet e tyre me kundërsulmet e mbrojtësve të Krujës. Duke përshkruar këto luftime, M. Barleci shkruante se "Skënderbeu me forca e ushtri të fuqishme e sulmonte çdo ditë fushimin e Mehmetit II dhe nuk i linte për asnjë çast të qetë... lëshohej pa pushim mbi të dhe, si një përrua që zbret nga malet pas shirave të mëdha mbyt dhe rrëmben çdo gjë me vete, po ashtu edhe Skënderbeu lëshohej pa pushim mbi fushimin turk, herë nga njëra anë, herë nga ana tjetër, e trondiste atë kudo, i shkaktonte armikut vrasje, dëme dhe humbje shumë të mëdha".
 
Kudo që vepronin luftëtarët shqiptarë, si sulmues nën drejtimin e Skënderbeut, nëpër çetat, apo si mbrojtës të kështjellave, treguan trimëri të papërshkruar, që la gjurmë të pashlyeshme edhe te armiqtë dhe u përjetësua në veprat e historianëve të vjetër osmanë. Njëri prej këtyre, Idriz Bitlisiu vinte në dukje me këtë rast se shqiptarët "janë nga natyra trima e guximtarë sa nuk ka ku të vejë më. Në sulm e në qëndresë janë shumë të rrëmbyeshëm e të patundshëm. Shigjetat e shiut të vuajtjeve e të fatkeqësive ata i presin me kraharorët e tyre të hapur dhe nuk vënë kurrë para armikut mburojën e dobësisë e të përuljes". Kurse Qemal pasha Zade ka shkruar për këto ngjarje se edhe "luftëtari më i dobët i arbërve është nga më trimat e fushës së luftës, tamam sikur të ishte kalorës i hipur mbi kalin legjendar. Ai nuk ka as kalë, as mjete lufte, por ka në vend të kuajve shtiza që fluturojnë si vetëtima, ka ushta maja e të cilave është plot helm si thumbi i grerëzave, ka edhe një hark prej druri e bashkë me të disa shigjeta, por megjithatë ai është më i fortë se hekuri".
 
Pas më se dy muaj luftimesh të ashpra, sulltan Mehmeti II u bind edhe këtë herë se Kruja nuk mund të pushtohej me forcën e armëve. Prandaj ai mendoi nënshtrimin e saj nëpërmjet një rrethimi të vazhdueshëm derisa uria t'i detyronte mbrojtësit e Krujës të dorëzoheshin. Këtë detyrë ia ngarkoi Ballaban Beut, duke i lënë nën komandë një pjesë të ushtrisë. Krahas rrethimit të kështjellës së Krujës, ata do të ushtronin një presion të pandërprerë mbi të gjitha viset e lira shqiptare. Për të mbështetur veprimtarinë luftarake të trupave të Ballabanit, furnizimin e tyre me mjete lufte dhe me ushqime, si dhe për të shkëputur nga trungu i shtetit shqiptar një pjesë të tij, Mehmeti II vendosi që të rindërtohej plotësisht e të fuqizohej fortesa e lashtë e Valmit në luginën e lumit Shkumbin. Punimet u bënë në prani të sulltanit dhe vazhduan me vrull një muaj të tërë. Ato përfunduan në korrik të vitit 1466. Për të shprehur rëndësinë e veçantë që kishte kjo fortesë për zhvillimin e mëtejshëm të luftës, sulltani i vuri emrin Ilbasan (Elbasan) d.m.th. "vend që sundon".
 
Në korrik të vitit 1466 sulltan Mehmeti II bashkë me pjesën më të madhe të ushtrisë mori rrugën e largimit nga Shqipëria. Në fund të korrikut ata ishin në Manastir dhe vijuan rrugën në drejtim të Përlepit, Shtipit e Plovdivit për të arritur në Stamboll. Pas largimit nga Elbasani ushtria osmane pushtoi përfundimisht qytetin e Ohrit. Banorët e tij luftuan për mbrojtjen e qytetit të tyre, prandaj sulltan Mehmeti II arrestoi dhe i internoi në Stamboll kryepeshkopin e Ohrit, Dorotheun, bashkë me shumë fisnikë e klerikë të tjerë të qytetit. Me premtimin se nuk do t'i trazonte, sulltan Mehmeti II arriti të shtinte në dorë me mijëra e mijëra njerëz që ishin strehuar në një rajon malor të quajtur Kidna. Gjithnjë sipas rrëfimit të M. Barlecit, si hakmarrje për disfatën e pësuar, sulltani masakroi barbarisht afro 8 mijë veta të strehuar në atë rajon malor. Por edhe masakra të tilla nuk i ligështuan shqiptarët. Këta i vazhduan luftimet edhe pas largimit të sulltanit, duke mbrojtur Krujën dhe u përpoqën të shtinin në dorë kështjellën e Elbasanit, e cila bashkë me Ohrin u krijoi mundësi osmanëve të kontrollonin lëvizjet nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Gjendja ekonomike e vendit ishte përkeqësuar dhe uria po i kërcënonte shqiptarët. Duheshin siguruar ndihma në ushqime, në armë etj.
 
Luftimet e vitit 1466 në Shqipëri, ishin të përmasave të mëdha dhe të një rëndësie të veçantë edhe për fatin e Italisë e të vendeve të tjera evropiane. Prandaj ato tërhoqën vëmendjen e tyre, sepse, siç thuhej ato ditë, trupat osmane "ishin në dyert e Italisë" dhe po të binte qëndresa shqiptare, ajo do të ishte viktimë e tyre.
 
Në këto rrethana, në fund të majit 1466 u mblodhën në Romë ambasadorët e shumë shteteve italiane. Me këtë rast Papa u kërkoi që të bashkoheshin jo vetëm forcat e shteteve italiane, por edhe të vendeve të tjera evropiane, për të përballuar sulmin e mundshëm të ushtrisë osmane mbi Italinë. Kjo situatë e rrezikshme për shtetet evropiane duhej t'i nxiste ato që t'u dërgonin shqiptarëve ndihma ekonomike dhe ushtarake.
 
Për të përballuar gjendjen shumë të rëndë të vendit të vet, Skënderbeu iu drejtua për ndihmë shteteve italiane. Ai dërgoi në Venedik të birin, Gjonin, ndërsa në nëntor të vitit 1466 u nis vetë për në Napoli e në Romë. Ai qëndroi në Itali deri në fund të marsit të vitit 1467, ndërkohë që trupat osmane mbanin të rrethuar Krujën.
 
Misioni i djalit të Skënderbeut në Venedik nuk dha përfundimet që priteshin, sepse ndihmat për shqiptarët shiheshin atje si shpenzime të shumta e të paleverdisshme. Megjithëkëtë, për të ndihmuar Skënderbeun Republika e Shën Markut kishte dërguar pranë tij një numër ushtarësh, ndërkohë përpiqej të rifillonte bisedimet për paqe me osmanët.
 
Komandanti i trupave osmane në Shqipëri, Ballaban Beu, ndoqi me vëmendje veprimtarinë diplomatike të Skënderbeut në Itali dhe u përpoq që ky të dështonte në misionin e vet. Osmanët i kërcënuan vendet e tjera dhe e detyruan Senatin e Raguzës të ndalonte ardhjen e Skënderbeut në këtë qytet gjatë udhëtimit për në Itali. Ndërkohë përfaqësues të Ballaban Beut shkuan në oborrin napolitan për të penguar ndihmat për shqiptarët. Me sa duket Ballabani deri diku ia arriti këtij qëllimi, sepse gjatë muajve nëntor-dhjetor 1466, kur Skënderbeu ishte në Napoli, nuk siguroi ndonjë ndihmë të rëndësishme prej oborrit napolitan.
 
Pas Napolit, i shoqëruar me pak kalorës, Skënderbeu shkoi në Romë. Banorët e saj i rezervuan atij një pritje aq masive, madhështore e triumfale, saqë nuk ishte parë ndonjëherë në atë qytet. Kjo pritje ishte shprehja më e qartë dhe e sinqertë e ndjenjave të vërteta të popullit italian për luftën e popullit shqiptar dhe udhëheqësin e tij. Papa organizoi për Skënderbeun ceremoni zyrtare, por ndihma materiale e tij qe e vogël për nevojat e ngutshme të shqiptarëve, gjë që e bëri të pakënaqur komandantin shqiptar. Në çastet e largimit të tij nga Roma, shkruanin ato ditë bashkëkohësit, Skënderbeu u shpreh plot sarkazëm se "më parë do të donte të bënte luftë me kishën sesa me turkun", dhe "nuk besonte se mund të gjendej shpirtvogëlsi më e madhe në botë sesa te këta priftërinj". Pas një qëndrimi dymujor Skënderbeu u largua nga Roma dhe u kthye sërish në Napoli, ku qëndroi gjatë, por nuk siguroi ndonjë ndihmë efektive. Edhe mbreti Ferdinand i Napolit, ashtu si Venediku, përpiqej të shmangte rrezikun osman mbi shtetin e tij, jo aq me veprime efektive ushtarake sesa me anën e bisedimeve sekrete për paqe me sulltan Mehmetin II.
 
Rrethimi III i Krujës (1467) dhe Vdekja e Skënderbeut (17 janar 1468)
 
Në mars të vitit 1467, kur Skënderbeu gjendej në Itali, nëpunësit osmanë kryen regjistrimin e popullsisë e të tokave në një rajon të kufizuar të viseve të shkelura prej tyre për të vendosur në to sistemin feudal ushtarak të timareve. Ky regjistrim dëshmon mirë për pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në luftë. Sipas tij, dhjetëra fshatra ishin shkatërruar dhe braktisur nga popullsia, kurse shumica e fshatrave të tjera kishin mbetur me pak banorë dhe kishin nga një familje deri në dhjetë. Kjo pamje e shkretuar e vendit ishte shkaktuar nga rrënimet e luftës dhe masakrat e pushtuesve. Ajo lidhej edhe me largimin e popullsisë shqiptare, të paaftë për luftë, në vende të sigurta e të paarritshme për armiqtë, ndërkohë që të tjerë gjendeshin në radhët e njësive luftarake të Skënderbeut. Për më tej dhuna e pushtuesit dhe uria detyroi të emigronin nga Shqipëria në vendet e tjera, kryesisht në Itali, me mijëra e mijëra shqiptarë.
 
Regjistri tregon se osmanët kishin arritur përkohësisht të shtinin në dorë një numër kështjellash të Skënderbeut, që kontrollonin rrugët e komunikimit të Krujës me viset që shtriheshin në lindje të saj, si Stelushin, Gurin e Bardhë, Koxhaxhikun e Rahovnikun (Dibrën). Gjithashtu ai dëshmon se, në atë kohë, ndërmjet shqiptarëve dhe osmanëve ishin zhvilluar luftime të ashpra në tri rajone kryesore: në atë të Krujës, të Koxhaxhikut (në luginën e Drinit të Zi dhe në juglindje të Dibrës) dhe të Rekës (në verilindje të Dibrës). Në këto rajone shumë fshatra ishin braktisur tërësisht nga banorët për shkak të luftimeve të ashpra që ishin zhvilluar pranë tyre. Ndërkohë osmanët u përpoqën të vinin nën kontrollin e plotë të tyre edhe rajone të tjera, prandaj vijuan riregjistrimin kadastral të tyre, në rajonet e Tetovës, të Kërçovës etj. Krahas premtimit për postin e dizdarit të Krujës, në tetor të vitit 1466 sulltani i kishte dhënë në zotërim Ballaban Beut një timar të madh në rajonin e Tetovës, me qëllim që të luftonte sa më energjikisht për nënshtrimin e atyre viseve.
 
Në ditët e para të prillit të vitit 1467, Skënderbeu u kthye në atdhe nga Italia. Në gjirin e popullit të vet, si gjithnjë, ai gjeti besimin e patundur, dashurinë e pakufishme dhe gatishmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur lirinë e vendit të tyre. Skënderbeu organizoi menjëherë një ushtri të fuqishme prej 16 mijë luftëtarësh. Rradhët e saj vazhdimisht shtoheshin, sepse, siç tregonte një raguzan, “arbërit vërshonin drejt Skënderbeut”.
 
Me këto forca, më 19 prill 1467, Skënderbeu sulmoi papritur dhe shpartalloi krejtësisht një ushtri që shkonte në përforcim të trupave osmane që mbanin të rrethuar Krujën. Komandanti i saj, i cili ishte vëllai i Ballabanit, Jonima, bashkë me të birin, ranë rob në duart e shqiptarëve. Pas katër ditësh, më 23 prill, luftëtarët e Skënderbeut marshuan me shpejtësi në drejtim të Krujës. Këta, duke bashkërenduar veprimet e tyre me kundërsulmet e garnizonit të kështjellës, e futën ushtrinë osmane ndërmjet dy zjarreve dhe e shpartalluan keqas. Gjatë betejës Ballaban Beu u vra nga një mbrojtës krutan i kështjellës, Gjergj Aleksi. Ai u varros në Petrelë.
 
Trupat osmane u tërhoqën të shpartalluara dhe shqiptarët çliruan kështjellat që u pushtuan gjatë rrethimit të dytë të Krujës. Skënderbeu rrethoi edhe kështjellën e Elbasanit, por, duke mos pasur artileri, nuk e mori dot.
 
Me këto fitore shqiptarët i dhanë fund rrethimit të dytë të Krujës, duke u shkaktuar humbje të rënda forcave ushtarake të Perandorisë Osmane. Megjithëkëtë sulltan Mehmeti II nuk hoqi dorë nga synimi i tij për ta mposhtur sa më shpejt qëndresën shqiptare. Pa kaluar një muaj nga shpartallimi i trupave të Ballabanit, në fund të majit të vitit 1467, sulltan Mehmeti II erdhi përsëri në Shqipërinë me të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Kur u futën në luginën e Shkumbinit, trupat armike u goditën prej luftëtarëve shqiptarë. Duke përshkruar zhvillimin e kësaj beteje, historiani osman Ibn Kemal shkruante se pranë Bushekut (në juglindje të Elbasanit) "arbërit e ndezën zjarrin e luftës, morën në duart e tyre ushtat, të cilat u ngjajnë gjarpërinjve helmues dhe qëndruan në grykat e shpellave. Ata luftuan deri kur erdhi koha e mbrëmjes ... Kur lufta pushoi, u grumbulluan të gjithë në një vend dhe në mëngjes dolën si një lumë nga lugina dhe u vërsulën menjëherë mbi ushtrinë e Anadollit". Beteja ishte e ashpër. Asnjëra palë nuk mundi të sigurojë fitoren. Lidhur me këtë ngjarje kronisti bizantin Kritobuli vinte në dukje se "sulltani pasi urdhëroi ushtarët që të grabisnin e të plaçkisnin ... la maleve pjesën më të madhe dhe më luftarake të ushtrisë ... kurse ai duke qëndruar bashkë me pjesën tjetër të ushtrisë, plaçkiste vise të tjera të vendit, duke marshuar me ndalesa dhe duke ngritur fushime". Pas këtyre veprimeve, sulltani me pjesën kryesore të ushtrisë rrethoi Krujën duke menduar se mbrojtësit e saj, të lodhur nga rrethimi i mëparshëm njëvjeçar, nuk do t'u bënin dot ballë goditjeve të reja. Trupat osmane sulmuan gjithashtu Durrësin dhe qendra të tjera të fortifikuara.
 
Ashtu si në rrethimet e mëparshme të Krujës, Skënderbeu me pjesën kryesore të trupave shqiptare qëndroi në rrethinat e saj dhe prej andej organizoi vazhdimisht sulme mbi forcat osmane, që mbanin të rrethuar kështjellën, e cila mbrohej si edhe më parë nga garnizoni i saj nën komandën e Tanush Topisë.
 
Përballë vendosmërisë së patundur të shqiptarëve për të mbrojtur me çdo kusht lirinë e vendit, i bindur plotësisht se me forcën e armëve nuk mund të mposhtej qëndresa shqiptare, sulltan Mehmeti II vendosi të përdorte tani, me përmasa shumë më të gjera se më parë, mjetin më ekstrem: shfarosjen në masë të popullsisë.
 
Jo vetëm te kronistët bizantinë e osmanë, si bashkëkohës të këtyre ngjarjeve, por edhe në letërkëmbimin e atyre ditëve dhe në dokumente të tjera të kohës, përmenden në mënyrë të veçantë masakrat e ushtrive osmane gjatë vitit 1467 në Shqipëri. Në to vihen në dukje "mizoritë e pashembullta të sulltanit, i cili as për siguri e as për dhimbje nuk të fal dhe nuk ka mëshirë", që "po bën në Arbëri një mijë dhunime, vrasje e mizori dhe po djeg e shkatërron një popull të tërë". Këto veprime shtazarake shfarosën me mijëra e mijëra njerëz, mijëra e mijëra të tjerë u detyruan të linin trojet e tyre e të merrnin rrugët e mërgimit, por, megjithëkëtë, ai nuk arriti të thyente vullnetin dhe qëndresën e një populli të tërë, që luftonte për të mbrojtur lirinë e vendit të vet.
 
Në mbarim të verës, trupat osmane me sulltan "fitimtarin" në krye, të rraskapitura dhe pa asnjë shpresë fitoreje, morën rrugën e kthimit të ndjekura këmba-këmbës prej luftëtarëve shqiptarë. Si rrjedhojë e humbjeve të rënda, që pësuan trupat osmane gjatë viteve 1466-1467, sulltan Mehmeti II u detyrua të hiqte dorë për disa vjet nga plani i tij për pushtimin e Shqipërisë nëpërmjet fushatave të mëdha ushtarake.
 
Pas largimit të trupave osmane, si detyrë e ngutshme përpara vendit qëndronte përballimi i rrënimeve dhe vështirësive të shumta të shkaktuara nga lufta. Për masat që duheshin marrë në këtë drejtim, në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë Kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit të Kirit. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur. Pas disa ditësh, më 17 janar 1468, në Lezhë, pushoi së rrahuri zemra e tij. Lajmi i vdekjes së Skënderbeut shkaktoi një pikëllim të rëndë e të papërshkruar në mbarë popullin shqiptar. "Me vdekjen e tij, - theksohej ato ditë në Senatin e Venedikut, - arbërit kanë rënë në një ngashërim dhe tronditje të madhe".
 
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, po në atë vend ku ai themeloi Besëlidhjen Shqiptare.
 
 
Qëndresa antiosmane e shqiptarëve të Moresë në shek. XV
 
Si rezultat i emigrimeve masive, që vazhduan gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XV, Morea (Peleponezi) kishte në këtë kohë një popullsi shqiptare mjaft të dendur. Ngulimet shqiptare qenë të shpërndara në të gjitha hapësirat e Moresë, në Akne, Korint, Argi, Arkadi, Meseni, Bardhuni, Majnë e në Lakoni. Dokumentet veneciane dhe regjistrat osmanë të kësaj kohe japin të dhëna mjaft interesante për shpërndarjen e ngulimeve shqiptare në More, për organizimin e bashkësive shqiptare, veprimtarinë prodhuese të tyre, për marrëdhëniet e tyre me autoritetet vendase etj. Sipas tyre në mjaft zona shqiptarët përbënin popullsinë dërrmuese. Kështu, sipas një regjistri osman të gjysmës së dytë të shek. XV, del se 155 qendërbanime ndër 198 që kishin nahijet e Kallandricës, Sandamerit, Grebenesë e të Hllamucit, në Morenë veriore e të mesme, ishin të banuara nga shqiptarë. Raporte të ngjashme demografike ndeshen edhe në zona të tjera, në Korint, Arkadi, Majnë, Meseni, Lakoni etj. Mbi bazën e një pranie të tillë masive të banorëve shqiptarë, zona të tëra në More cilësohen shpesh nga burimet e kohës si vende të arbërve.
 
Qendërbanimet e shqiptarëve të Moresë kishin në shumicën e tyre emra karakteristikë shqiptarë që pasqyronin ose emrin e origjinës së banorëve ose emrin e familjes kryesore të bashkësisë. Ndër emrat më tipikë të këtyre qendërbanimeve përmenden të tilla si: Lëndina, Mali, Lumi, Ripësi, Balta, Buzë-Mazi, Golemi, Kryekuqi, Zoga, Lalushi, Mansi, Voriboba, Floka, Këmbëthekra, Matringa, Muzaka, Belushi etj.
 
Qendërbanimet shqiptare të Moresë ishin të karakterit bujqësor dhe blegtoral. Ato përbëheshin nga territori i banuar dhe nga sipërfaqja e arave, ullishteve, kullotave, pyjeve etj. Për shfrytëzimin e tyre, ashtu si banorët e tjerë, shqiptarët duhej t`u paguanin detyrimet përkatëse zotërve ligjorë të tokës, që ishin sipas rastit Perandoria Bizantine, despotët e Moresë, princët latinë të Akesë apo të Athinës, Republika e Venedikut ose, në fund, edhe sulltani osman. Gjithsesi detyrimi kryesor që shqiptarët duhej t'u ofronin sundimtarëve të vendit, ishte shërbimi ushtarak, që kryhej nga burrat e aftë për luftë, kryesisht në mbrojtjen e kështjellave në rast rreziku. Nga shek. XV fillojnë të bëhen gjithnjë më të shpeshta në More repartet e luftëtarëve profesionistë shqiptarë (stratiotët). Këto ishin njësi të kalorësisë së lehtë që ndonjëherë përfshinin disa mijëra luftëtarë. Nën komandën e një kreu stratiotët shqiptarë siguruan për një kohë të gjatë mbrojtjen e kështjellave nga sulmet osmane. Repartet e stratiotëve ngriheshin mbi bazën e përkatësisë së njëjtë etnike, por në to luanin rol edhe lidhjet familjare. Pjesëtarët e tyre ishin shpeshherë anëtarë të një ose më shumë grupeve familjare. Një gjë e tillë i bënte repartet e stratiotëve njësi vërtet të qëndrueshme dhe koherente. Moment i rëndësishëm i këtij kohezioni qe figura e komandantit të stratiotëve (capo stratioti). Ky gëzonte një autoritet të padiskutueshëm, që rridhte si nga prejardhja ashtu dhe nga virtytet dhe lavdia e tij luftarake. Stratiotët shqiptarë u bënë kështu protagonistët e qëndresës kundër invazionit osman në More.
 
Në fillim të shek. XV Peloponezi vazhdonte të ishte i copëtuar politikisht midis sundimtarëve të ndryshëm. Pjesa veriore e tij ndahej ndërmjet princit gjenovez Asani II Açajuoli, kurse pjesa jugore qeverisej nga despotët bizantinë të familjes perandorake të Paleologëve. Nga ana e vet, Republika e Venedikut kontrollonte një numër kështjellash strategjike të shpërndara gjatë bregdetit, siç ishin ato të Koronës, Modonit, Nauplionit etj. Burimet e kohës njoftojnë se në zona të gjera të Peloponezit, si në Arkadi, Bardhuni, Mainë etj., kishte bashkësi të tëra shqiptare që qëndronin më vete e qeveriseshin nga krerët e tyre. Një numër akoma më i madh fshatrash shqiptare ishin nën juridiksionin e sundimtarëve të huaj të Peloponezit. Shqiptarët përbënin gjithsesi forcën kryesore ushtarake të këtyre sundimtarëve. Kjo është arsyeja që shqiptarët e Peloponezit, pavarësisht nga statusi i tyre, u bënë këtu faktori kryesor i qëndresës antiosmane.
 
Ballafaqimi i parë i shqiptarëve të Peloponezit me osmanët u bë në vitin 1432. Komandanti turk i Thesalisë, Turhan Pasha, kreu atë vit një inkursion që preku deri viset qendrore të Peloponezit. Ndërkohë që despotët bizantinë dhe sundimtarët e tjerë të Peloponezit nxituan të binin në ujdi me Turhan Pashën, shqiptarët i bënë këtij një qëndresë të ashpër. Qendra e saj u bë Davi, lokaliteti i Arkadisë së banuar nga popullsi e dendur shqiptare. Pas betejash të përgjakshme, forcat osmane mundën të fitojnë epërsi e t'i thyejnë shqiptarët në një sulm vendimtar. Shumë prej këtyre mbetën të vrarë. Turhan Pasha urdhëroi të thereshin deri tek i fundit kryengritësit shqiptarë, që u zunë rob e që ishin rreth 800 veta, dhe me kokat e prera të tyre u ngritën pirgje.
 
Në vitin 1444 shënohet një tjetër moment i rëndësishëm i qëndresës antiosmane të shqiptarëve të Moresë. Kësaj radhe kundër osmanëve u ngrit edhe despoti Konstantin Paleologu, i cili shpresonte të shfrytëzonte rastin për të shtrirë sundimin e tij në krejt Peloponezin, madje edhe përtej tij. Në fakt tentativa e tij gjeti përkrahje jo vetëm te shqiptarët e Peloponezit, por edhe tek ata të Beocisë, Atikës e Thesalisë. Autoriteti i sulltanit në këto vende u godit rëndë dhe në fund të vjeshtës vetë sulltan Murati II u nis me një ushtri të madhe kundër kryengritësve. Pasi shkatërruan murin mbrojtës të istmit të Korintit (Eksamilin) që ndante Peloponezin nga kontinenti, ushtritë osmane u derdhën duke e shtruar vendin në zjarr e hekur. Despoti Konstandin i trembur nga reagimi i egër i Sulltanit nxitoi të kërkojë ujdi me të, duke pranuar të bëhej vasal i tij si dhe duke dhënë një tribut tepër të rëndë. Sidoqoftë edhe pas kësaj fushate, osmanët ende nuk vendosën të instalonin garnizone ushtarake në Peloponez, në Atikë e në Beoci, siç kishin bërë në Thesali e Maqedoni.
 
Ballafaqimi me osmanët nxori në pah edhe kontradiktat midis shqiptarëve dhe sundimtarëve greko-bizantinë të Peloponezit. Ndërsa të parët i tërhiqte në qëndresën antiosmane dëshira për të ruajtur lirinë dhe pronat e veta, të dytët bashkoheshin me të për të ruajtur e zgjeruar privilegjet e zotërimet e tyre. Qëllimet egoiste i shtrëngonin këta të kërkonin me rastin më të parë kompromis me pushtuesin.
 
Kundërshtia e motiveve dhe e interesave çoi pashmangërisht në konflikt të hapur midis despotëve greko-bizantinë dhe shtetasve të tyre shqiptarë. Në vitin 1453 shqiptarët e Peloponezit të udhëhequr nga Pjetër Bua dhe Teodor Buhali, ngritën krye kundër despotëve Dhimitër e Thoma Paleologu. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua dhe princi i Akesë, Centurion Zakaria. Shqiptarët i ofruan shërbim Venedikut nëpërmjet qeveritarit venecian të Koron-Madonës. Senati e urdhëroi këtë që "t'i mbante arbërit me shpresë, duke i nxitur e dhënë kurajo për të luftuar trimërisht". Por vetë nuk u angazhua, përkundrazi. Në korrik 1454 Venediku dërgoi një legat në More, i cili kishte për detyrë që të paqëtonte shqiptarët me despotët. Megjithatë, shqiptarët nuk dëgjuan të merreshin vesh me despotët Paleologë. Ata vendosën të njihnin si sundimtar të vendit Manuel Kantakuzenin, rival i të parëve. Burimet duan të thonë se Manueli dhe gruaja e tij për të vendosur këtë aleancë u detyruan të merrnin emrat shqiptarë Gjin e Kuqe. Pavarësisht se Buhali u zu rob gjatë një beteje, kryengritësit shqiptarë e rrezikuan rëndë pushtetin e despotëve Paleologë. Të dëbuar nga një pjesë e mirë e zotërimeve të tyre, këta iu drejtuan për ndihmë Turhan Pashës, i cili dërgoi menjëherë trupat e tij në Peloponez. Forcat e bashkuara osmano-greke u drejtuan më së pari në kështjellën e Bardhunies, ku shqiptarët ishin strehuar bashkë me familjet e tyre. Pas disa ditë luftimesh, këta u përpoqën të çajnë rrethimin, por pa sukses. Sipas historianit Halkokondili, turqit zunë rob rreth 10 mijë veta, më të shumtët ishin gra e fëmijë. Në Leondari, në luftë me forcat osmane, ra komandanti shqiptar Petro Buziqi. Paskëtaj forcat greko-osmane morën edhe fortesat e Itonit e të Aetosit, duke shtypur edhe kësaj here shqiptarët kryengritës. Një pjesë e mirë e këtyre u detyruan të pranojnë përsëri sundimtarët e vjetër.
 
Pas kësaj fushate u pa qartë se pengesa kryesore që u kundërvihej osmanëve në Peloponez ishin popullsitë e atjeshme shqiptare. Despotët bizantinë, në grindje me njëri-tjetrin e me sundimtarët e tjerë, ranë përfundimisht në gjendjen e vasalit të sulltanit. Ky i la ata akoma për ca kohë në krye të zotërimeve të tyre me kusht që të paguanin një haraç të rëndë dhe të mbanin nën fre shqiptarët e pabindur. Dhimitër e Thoma Paleologu nuk ishin në gjendje të plotësonin as njërin e as tjetrin nga këto kushte. Në prill të vitit 1458 vetë sulltan Mehmeti II u vu në krye të një ushtrie që në 15 maj kaloi fortifikimet e Heksamilit, të cilat mbronin kalimin e istmit të Korintit e u derdhën në Peloponez. Despotët Paleologë nisën me ngut një ambasadë për te sulltani, për t'i dorëzuar një pjesë të haraçit e për t'i dhënë provë të besnikërisë së tyre. Por kësaj radhe Mehmeti II kishte vendosur ta nënshtronte përfundimisht Peloponezin e t'i jepte fund sundimit të despotëve bizantinë. Prej Korintit, ushtria osmane depërtoi drejt jugut dhe u ndal nga shqiptarë vendas të prirë nga kreu i tyre, Dhoksi. Pas një qëndrese të ashpër, mbrojtësit shqiptarë pranuan ta dorëzojnë kështjellën kundrejt premtimit se ata dhe familjet e tyre nuk do të pësonin gjë. Megjithatë sulltani vuri një garnizon osman në kështjellë dhe mori me vete 300 fëmijë si pengje.
 
Prej Tarsit ekspedita osmane iu drejtua kështjellës së Fliundit, ku ishin grumbulluar shqiptarët dhe grekët e rrethinave. Përballë qëndresës së pamposhtur të të rrethuarve, osmanët tentuan t'i bindin ata të dorëzohen duke u prerë burimet e ujit. Historiani Halkokondili tregon se gjendja e të rrethuarve u bë aq e rëndë, saqë ata u detyruan të therin kafshët në mënyrë që me gjakun e tyre të shuanin etjen dhe të gatuanin bukën. Ndërkohë trupat jeniçere zbuluan një shteg të mureve të paruajtur, u derdhën nëpër të dhe dogjën e plaçkitën qytetin. Pothuaj krejt popullsia vendase u masakrua.
 
Paskëtaj osmanët iu drejtuan kështjellave Akriv dhe Rupel; dy ditë me radhë mbrojtësit e Rupelit, që ishin gjithashtu shqiptarë, u mbrojtën me vendosmëri. Por më në fund, përballë epërsisë absolute të forcave osmane ata vendosën të dorëzohen. Gjithë popullsia e Rupelit, me gra e fëmijë, u shpërngulën me forcë në Stamboll. Vetëm 20 shqiptarë që kishin luftuar më parë në Tars kundër sulltanit e që me të njëjtin qëllim kishin ardhur edhe në Rupel, iu nënshtruan hakmarrjes së Mehmetit II. Ky urdhëroi që t'u thyheshin gjymtyrët me gjyle hekuri.
 
Prej këndej trupat osmane vazhduan marshimin e tyre drejt jugut dhe rrethuan fortesën malore të Pazenikit. Fillimisht ata u përpoqën ta marrin me forcë këtë fortesë, por mbrojtësit shqiptarë të saj i thyen sulmet e njëpasnjëshme të osmanëve. Paskëtaj sulltani mendoi t'i bindë shqiptarët ta dorëzojnë me dëshirë fortesën e për këtë qëllim përdori si ndërmjetës Manuel Kantakuzenin, që gjatë kryengritjes së vitit 1454 ishte njohur nga shqiptarët si despot, në vend të Thomait e Dhimitrit. Por shqiptarët deklaruan se nuk kishin ndërmend t'i venin pas ish-prijësit të tyre në rrugën e bashkëpunimit me sulltanin. Përfundimisht, Mehmeti II u shtrëngua të hiqte rrethimin e Pazenikit e të merrte rrugën e kthimit drejt veriut. Përpara se të kapërcente istmin, Mehmeti II vendosi të pushtonte me çdo kusht fortesën e Korintit, të cilën trupat e tij e mbanin të rrethuar që nga fillimi i fushatës. Mbrojtësit e kështjellës, ndër të cilët shumë shqiptarë, u rezistuan trimërisht bombardimeve e sulmeve të pafund të osmanëve. Kur sulltani u bë gati të ngrinte rrethimin e të kthehej në Stamboll, disa fisnikë të qytetit me peshkopin grek në krye i çuan atij fjalë se mbrojtësit ishin në pikën e fundit të qëndresës, duke qenë se tashmë u ishin mbaruar të gjitha rezevat ushqimore. Ky lajm e bëri sulltanin të kthejë mendje e të sulmojë më me egërsi kështjellën e rrethuar. Më 6 gusht 1458 komandanti i kështjellës Mateo Asanes ua dorëzoi atë osmanëve, pasi u këshillua me zotërit e tij, despotët Thoma e Dhimitër Paleologu. Bashkë me Korintin këta u detyruan t'i lëshojnë sulltanit pjesën më të madhe të zotërimeve të tyre, Patrasin, Voshticën, Kalavriten etj., si dhe t'i japin atij një tribut vjetor prej 3 mijë dukatësh. Ndërkohë Mehmetit II i ishte dorëzuar edhe qyteti i Athinës. Gjatë kthimit për në Stamboll, sulltani bëri një vizitë në qytetin e famshëm, i pritur me nderim nga kleri që i dorëzoi në mënyrë solemne çelësat e qytetit.
 
Ngjarjet e vitit 1458 e prishën përfundimisht aleancën e shqiptarëve me despotët e paqëndrueshëm të Peloponezit, të cilët këtej e tutje sundonin si vasalë të thjeshtë të sulltanit në zotërimet e pakta që ky u la në Peloponez. Madje shumë shpejt dy vëllezërit Paleologë hynë në luftë me njëri-tjetrin për shkak të këtyre zotërimeve. Në këtë luftë civile Dhimitri kërkoi bashkëpunim me krerët shqiptarë me ndihmën e të cilëve mori kështjellat e Karitanicës, Bardhunies, Kastricës, Kallamatës, Zarnatës, si dhe gjithë krahinën e Mainës, në ekstremin jugor të gadishullit. Mehmeti II dërgoi qeveritarët e Thesalisë dhe të Peloponezit për të shuar kryengritjen, por këta s'mundën përveçse arritën disa fitore të pjesshme e të paqëndrueshme. Edhe paskëtaj krerët shqiptarë të kështjellave vazhduan të mos t'i bindeshin as sulltanit e as despotëve bizantinë. Ndaj në prill 1460 Mehmeti II iu drejtua përsëri Peloponezit me një ushtri të madhe. I shoqëruar nga trupat e komandantit osman të vendit, shqiptarit Hamza Zenebishi, në maj të atij viti ai pushtoi kryeqytetin e saj, Mistran. Despoti Dhimitër Paleologu u dorëzua te sulltani. Prej këndej sulltani pushtoi me sulm kështjellat e Bardhunies e të Kastricës, ku humbi shumë jeniçerë. Mbrojtësit e Kastricës, 300 shqiptarë, u zunë e u therën deri tek i fundit, ndërsa komandanti i tyre, Primo Koka, u sharrua dy copësh.
 
Përballë barbarisë së ekspeditës osmane, banorët e Leondarit dhe të viseve të tjera të Lakonisë u grumbulluan në fortesën e papushtueshme të Gardhiqit. Gardhiqi ishte feud i familjes shqiptare Bakali. Nën udhëheqjen e Manuel Bakalit, shqiptarët i hodhën poshtë ofertat e Mehmetit II për të dorëzuar pa luftë kështjellën. Por mungesa e ushqimeve dhe e ujit në kushtet e një popullsie të mbingarkuar e të një vape rraskapitëse i detyroi mbrojtësit e kështjellës t'u dorëzohen osmanëve. Sulltani i përsëriti edhe këtu në Gardhiq skenat e tmerrit të Kastricës. 6 mijë veta të lidhur këmbë e duar u therën në sheshin e kështjellës. Kësaj radhe nuk u kursyen as gratë e fëmijët. Vetë kështjella u rrafshua me tokën. Historiani bizantin Kritobuli pohon se me këtë ndëshkim makabër, Mehmeti II synonte t'i trembte shqiptarët e Peloponezit në mënyrë që të mos ngriheshin më kundër tij. Manuel Bakali, Krokodejl Klada e disa krerë të tjerë të qëndresës mundën t'i shpëtojnë masakrës e të strehohen gjetkë. Ndërkaq në dorë të osmanëve ranë edhe kështjella të tjera, si Kiparisia, Karytaina, Andrusa e Itome. Ekspedita osmane përshkoi gjithë pjesën jugore të Peloponezit, duke kursyer vetëm zotërimet e Venedikut, me të cilin sulltani kishte nënshkruar atë kohë paqe. Përfaqësuesi i fundit i pushtetit të vjetër në More, despoti Thoma Paleologu e braktisi vendin dhe u strehua në Korfuz.
 
Paskëtaj ekspedita osmane iu drejtua viseve veriperëndimore të Moresë, ku mori fortesën Klumacion dhe rrethoi kështjellën e Kalavrites. Komandant i kësaj ishte shqiptari Doksja, i cili sipas kronistit Sfrance "nuk pyeste as për despotin, as për sulltanin e as për vetë Zotin". Por në fund edhe kjo kështjellë u mor dhe mbrojtësit e saj shqiptarë me Doksjen në krye u masakruan mizorisht. Pas përleshjesh të përgjakshme Mehmeti II pushtoi dhe kështjellat Grevenon, Kastrimenon, Salmenikion e së fundi dhe Korintin, ku ndërkohë kishin gjetur strehim shumë shqiptarë të ikur nga zonat e tjera të Peloponezit. Këta u mashtruan nga premtimi i sulltanit se do t'u falte jetën e pasurinë dhe ia dorëzuan atij kështjellën. Po ashtu si dhe më parë, Mehmeti II e shkeli fjalën e dhënë dhe urdhëroi të ekzekutohen të gjithë luftëtarët shqiptarë.
 
Në përfundim të kësaj fushate Mehmeti II e ktheu Peloponezin në një tokë të pushtuar. Turqit proceduan në regjistrimin e tokave dhe në vendosjen e sistemit të timarit. I kësaj kohe është një regjistër osman i Peloponezit, që pasqyron regjistrimin e një sërë zonave të Peloponezit verior e qendror, si Kallandrica, Sandemiri, Grebenea, Hlumca e Vomiro. Në regjistër figurojnë listat e 198 qendërbanimeve, nga të cilat 155 janë përcaktuar shprehimisht si shqiptare. Regjistri në fjalë është i pari i natyrës së tij që dëshmon intensitetin e ngulimeve shqiptare në Peloponez.
 
Për të shuar çdo tentativë kryengritjeje, ata bënë rrafsh me tokën një numër fortesash dhe detyruan të vendoseshin në fushë mjaft bashkësi shqiptare që jetonin në vise malore. Megjithatë, në Peloponez vazhduan të qëndrojnë edhe paskëtaj të ndezura vatrat e qëndresës antiosmane, sidomos në krahinat e mbrojtura malore, si qe ajo e Manit.
 
Sidoqoftë, në pikëpamje të sovranitetit shtetëror, pas shkatërrimit të Despotatit bizantin pothuajse gjithë Moreja hyri nën sundimin osman. Mbeteshin vetëm një numër kështjellash, të cilat vazhdonin të ishin zotërim venecian. Midis Venedikut e sulltanit ishte akoma në fuqi paqja e vitit 1454. Por ndryshimi i situatës luftarake në More ashtu si dhe gjetkë i vuri zotërimet e Venedikut nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të invazionit osman. Ndaj Republika e Lagunave filloi të merrte masa serioze për mbrojtjen e zotërimeve të saj moreate. Një numër i madh stratiotësh shqiptarë u pajtuan në shërbim të Venedikut, duke iu shtuar atyre që ishin rekrutuar nga komandantët venecianë qysh më parë. Atyre iu besua mbrojtja e kështjellave të Koronit, Modonit, Argosit, Nauplionit etj. Të tillë qenë Krokodejl Klada dhe Pjetër Bua, të cilët ishin dalluar në betejat e mëparshme kundër osmanëve. Përveç tyre në shërbim të Venedikut hynë formacionet e stratiotëve shqiptarë të komanduara nga krerët e familjeve Bakali, Menalja, Rali, Buziqi, Manasi. Familjeve të stratiotëve shqiptarë Venediku u dha toka e kullota në afërsi të kështjellave, ku ata mund të strehoheshin në rast rreziku. Atyre iu krijuan edhe lehtësira fiskale.
 
Akti i parë i konfrontimit midis osmanëve dhe venecianëve në More filloi me sulmin kundër zotërimit venecian të Argosit në prill 1463. Osmanët e morën thuajse pa luftë kështjellën falë tradhtisë së një prifti grek. Pas luhatjeve të gjata, më 28 korrik 1463 Venediku i shpalli luftë Portës. Trupat veneciane ripushtuan Argosin e rrethuan Korintin, por shumë shpejt sulltani dërgoi në More një ushtri të madhe nën vezirin e madh Mahmud Pashën. Ky ripushtoi një numër kështjellash që kishin kaluar nën venecianët. Inkursionet osmane u shtrinë deri në kështjellën e Koronit e Modonit, por këto mundën të rezistojnë. Mahmud Pasha me anë të premtimeve arriti të tërheqë me vete edhe një pjesë të shqiptarëve të Lakonisë e të Mainës në jug të vendit e t'i bindë të vendoseshin në zonën osmane. Në Nauplion ndeshën gjithashtu në një qëndresë të ashpër të garnizonit të kështjellës, bërthamën e të cilit e përbënin stratiotët shqiptarë të udhëhequr nga Pjetër Bua. Por edhe këtej osmanët u detyruan më në fund të tërhiqeshin pa mundur ta pushtojnë.
 
Angazhimi i Venedikut në luftë me sulltanin bëri që shqiptarët e Peloponezit të afroheshin në masë e të luftonin nën flamurin e tij. Në zotërimet e Venedikut erdhën shqiptarë nga zonat e tjera të Moresë që ishin nën pushtimin osman. Kështu, në mars 1466, fisniku shqiptar i myslimanizuar Hamza Bua Shpata, nga fisi i njohur i Shpatajve, kaloi në anën e Venedikut, duke u rikthyer në fenë e krishterë e duke dorëzuar kështjellën e Oksivunit dhe territoret përreth. Bashkë me të kaluan në anë të Venedikut edhe 50 familje të tjera shqiptare.
 
Gatishmëria e shqiptarëve të Moresë për të luftuar për mbrojtjen e lirisë kundër osmanëve, dëshmohet më së miri nga një raport i proveditorit venecian për Morenë, Xhakomo Barbarigo, i shkruar në muajin korrik 1465: "... Së fundi u takova me të nderuarin Mihal Rali Trimin (djalin) e me fjalë të zgjedhura i bëra të ditur se nëse do të vinte të shërbente me njerëzit e tij te ne, do t'i jepeshin 80 dukatë në vit si provizion. Por ai m`u përgjigj se babai i tij ishte ndër fisnikët kryesorë të Moresë dhe se ai, i biri, nuk binte më poshtë të atit nga karakteri. Ndaj, edhe pse ishte në ngushticë ekonomike, kishte vendosur t'i shërbente Sinjorisë me shpenzimet e veta pa shpërblim derisa kjo luftë të merrte fund".
 
Stratiotët shqiptarë të Moresë u angazhuan në veprimet luftarake kundër osmanëve edhe jashtë Moresë. Kështu, në verën e vitit 1477, nën komandën e Dhimitër Bokalit, 300 stratiotë shqiptarë nga viset e Koronës, u dërguan në Shqipëri për mbrojtjen e Krujës. Një tjetër stratiot i shquar shqiptar nga Morea, Krokodejl Klada, mori pjesë më 1481 në kryengritjen e fuqishme antiosmane të Himarës dhe u shqua si një ndër krerët kryesorë të saj në krah të Gjon Kastriotit.
 
Paqja e 25 janarit 1479 midis Venedikut e Portës së Lartë ndikoi në keqësimin e gjendjes së shqiptarëve në përgjithësi dhe të marrëdhënieve të tyre me Republikën e Venedikut. Kjo, nga njëra anë, nuk përfshiu në paqe edhe gjithë ata fisnikë shqiptarë që gjatë konfliktit veneto-osman kishin mbajtur barrën kryesore të luftës. Nga ana tjetër, pa pyetur fare vendasit, ajo u dorëzoi osmanëve një numër zotërimesh si në Shqipëri, ashtu dhe në More. Në këtë të fundit, në bazë të Traktatit të Paqes, osmanët duhet të merrnin krahinën malore të Mainës, që kishte qenë një nga vatrat kryesore të qëndresës shqiptare.
 
Në kushtet e reja, Venediku nuk ngurroi t`i braktiste luftëtarët shqiptarë e të miqësohej me osmanët. Në verën e vitit 1480 komandanti osman i Moresë i propozonte Venedikut hapur të përzinte stratiotët shqiptarë në shërbim të tij: "Nëse ju i dëboni arbërit nga ky vend, midis nesh nuk do të ketë më grindje", i shkruante ai proveditorit venecian. Edhe pse një gjë të tillë Venediku s'mund ta bënte për shkakun se që të gjitha kështjellat e tij në More mbroheshin nga stratiotë shqiptarë, ai i udhëzoi vazhdimisht proveditorët e vet në More që të shmangnin çdo lloj konfrontimi të stratiotëve shqiptarë me forcat osmane.
 
Kjo politikë e re e Venedikut ndaj Portës së Lartë nuk u pranua nga mjaft krerë shqiptarë, që ishin rekrutuar në trupat e Sinjorisë pikërisht për të luftuar kundër invadorëve osmanë. Pavarësisht nga paqja e re midis Venedikut e Portës, ata vazhduan të luftojnë kundër forcave osmane. Pati ndër ta që e braktisën shërbimin për llogari të Venedikut. Kështu veproi p.sh. kreu stratiot Teodor Bua, që braktisi kështjellën e Nauplionit e në krye të stratiotëve të tij, sulmoi osmanët në afërsi të Argosit. Paskëtaj ai i bashkoi forcat e tij me ato të stratiotëve të njohur Krokodejl Kladës në Mainë. Së bashku, ata formuan një forcë të madhe goditëse që i shqetësoi si venecianët, ashtu dhe osmanët. "Ata po turbullojnë paqen që kemi me sulltanin", i relatonte atë kohë qendrës qeveritari venecian i Moresë.
 
Venecianët u angazhuan përpara qeveritarit osman të Moresë se do të bënin çmos për të kapur "rebelët". Dy krerët shqiptarë u dënuan me vdekje në mungesë. Qeveritari venecian dërgoi për këtë qëllim reparte me stratiotë të tjerë shqiptarë. Por në fund ai i raportoi Senatit në Venedik se shqiptarët rebelë qe e pamundur të kapeshin, qoftë sepse ata gjenin strehim të sigurtë ndër fshatrat shqiptare, qoftë se stratiotët e tjerë, që ai dërgoi në ndjekje të rebelëve, refuzuan të ndesheshin me ta, pasi siç thoshin "qenë të një kombi".
 
Sidoqoftë, shumë stratiotë shqiptarë, ndër ta dhe Krokodejl Klada, pas paqes veneto-osmane të vitit 1479 u detyruan ta braktisnin Morenë. Një pjesë e të ikurve u vendos në ishujt Hidra, Specia, Poros, Kulluri (Salamina) etj., ku ende sot flitet gjuha shqipe. Të tjerë u vendosën së bashku me familjet e tyre në Mbretërinë e Napolit. Kujtimi i këtij eksodi drejt Italisë, që përkoi dhe me eksodin masiv nga Shqipëria të po kësaj kohe, ruhet akoma sot në vargjet e këngës së hershme të arbëreshëve të Italisë: "O e bukura More". Të tjerë stratiotë të zotërimeve të Venedikut në More u tërhoqën prej këndej dhe u përdorën prej saj në frontet e tjera, sidomos në Italinë e Veriut. Në betejat e atjeshme, stratiotët shqiptarë shkëlqyen për virtytet e tyre luftarake. Kronisti frëng Filip de Komini, që shoqëroi mbretin Karl VIII gjatë fushatës në Itali, më 1495, pati rast të njohë në fushën e betejës stratiotët shqiptarë që luftonin në anën e Venedikut. "Ata janë luftëtarë të guximshëm, që u hapin punë ushtrive armike", - shkruan ai në kujtimet e tij.
 
Mjaft stratiotë shqiptarë hynë në shërbim të komunave të ndryshme italiane e të sovranëve të ndryshëm të Evropës, duke kontribuar kështu në përforcimin e një imazhi heroik të luftëtarit shqiptar të krijuar në Evropë falë luftërave të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Figura të tilla stratiotësh, si ajo e Merkur Buas apo e Manol Bleshit u kënduan edhe në epikën historike. Me gjithë eksodin e madh të shqiptarëve nga Morea e nga viset e tjera greke gjatë fazave të ndryshme të pushtimit osman, dokumentet e mëvonshme të shek. XVI-XVIII dëshmojnë, se popullsia shqiptare në More mbeti mjaft e dendur. Ende në fund të shek. XVIII, një autor e quan Morenë "Arbëria greke" (Albania Greca).
 _________________________________________________________________________________________
 

Comments

Add comment
Control code Play audio code

Overview of comments

There have not been any comments added yet.